E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shumë faleminderit Slloveni"

Autori i Lajmit: red.
Me Slloveninë presidenca në Bashkimin Evropian u mor për herë të parë prej një vendi, i cili së bashku me ish-shtete të tjera komuniste iu bashkangjit BE-së në vitin 2004.
Si kryetarë të BE-së sllovenët kishin mundësinë t i vinin vulën e tyre rendit të ditës në BE. Krejt në krye qëndronte politika ndaj Ballkanit dhe këtu republika që shtrihet midis Italisë, Austrisë dhe Kroacisë ka arritur mjaft. Por ”Jo”-ja e irlandezëve ndaj marrëveshjes së Lisbonës bëri që BE-ja të rrëshqiste sërish në një krizë dhe e eklipsoi në fund premierën sllovene.
"Shumë faleminderit Slloveni"
Presidenti i Parlamentit Evropian falenderoi presidencën në Bashkimin Evropian për gjashtë muajt e fundit. Kjo është rutinë mirësjelljeje, dëgjohet gjatë çdo ndërrimi presidence, sado e mirë apo e keqe të ketë qenë puna e kryer. Ndoshta këtë herë himnet e lavdërimit kanë qenë pak më të sinqerta, mendon Jacki Davis e European Policy Center, një instituti kryesues politik në Bruksel: "Ajo që ata deshën dhe arritën të dëshmonin është që një vend anëtar i ri, i vogël, mund ta ushtrojë kryesinë, që jo gjithçka shkon keq dhe që ata i përballojnë detyrat. Këtë ata e bënë dhe kjo është ajo që duhej pritur."
Sllovenia u angazhua energjikisht që Bashkimi Evropian të njihte pavarësinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë të vazhdonte të përgatiste terrenin për Serbinë në rrugën drejt BE-së. Megjithatë, në Kosovë nuk mundi ende të merrte përsipër mbikqyrjen, ashtu siç e përfytyronte Sllovenia. Për shkak të rezervave ruse BE-ja do të vazhdojë të veprojë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Pas zgjedhjeve të reja në Serbi gjendja atje është çtensionuar disi. Me Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën u nënshkruan marrëveshje stabilizim-asociimit, hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE. Jacki Davis e European Policy Centre e regjistron politikën e Sllovenisë ndaj Ballkanit si sukses: "Dy ngjarjet e mëdha që e karakterizuan presidencën, ishin jashtë kontrollit të tyre. Pavarësinë e Kosovës e përcollën me mjeshtëri po të kihet parasysh se sa të ndara ishin shtetet anëtare në pyetjen e njohjes apo jo. Nën kushte të vështira ata punuan këtu mjaft mirë.
Ky lajm është publikuar: 28/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›