E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet: Kurora përfundimisht i përket Obamës

Mediat e konsiderojnë si të sigurt fitoren e kandidatit me ngjyrë, duke qenë se, sipas tyre, është të paktën 10 pikë përpara republikanit MekKejn. Megjithatë, ka zëra që thonë se 72-vjeçari do fitojë, për shkak të mbështetjes së elektoratit "të bardhë"

Gjatë gjithë ditës së djeshme, vetëm pak orë nga çasti i zgjedhjeve, trendi elektoral anoi së tepërmi në krah të Obamës. Sondazhi mbi zgjedhjet presidenciale, i realizuar nga instituti "Gallup", rezultatet e të cilit u bënë publike para dy ditësh, tregoi për rritje të mëtejshme të mbështetjes ndaj kandidatit demokrat. Sipas tij, avantazhi i Obamës mbi republikanin është 10 pikë, që do të thotë se kandidati me ngjyrë gëzon mbështetjen e 52 për qind të të anketuarve, ndërsa MekKejni 42 për qind. Një sondazh tjetër i realizuar nga rrjeti televiziv amerikan "Cbs" shtyhej edhe më tej, duke e vendosur Obamën 13 pikë para rivalit, 54-41. Për të njëjtin trend flet edhe sondazhi i djeshëm i Xhon Zogbit, më i dorështrënguari nga të tërë në pikët për Obamën, rezultati i të cilit e vendoste kandidatin demokrat 6 pikë para MekKejnit, 50 për qind me 44 për qind.

Votat elektorale

Mendohet se sot senatori demokrat mund të arrijë të bëjë të tijat deri 300 vota elektorale: shumë më tepër nga 270 të nevojshmet për të fituar zgjedhjet presidenciale. Diçka të tillë e bënte të ditur dje "Washington Post", duke nënvizuar që demokratët janë në avantazh, edhe kur vjen fjala te gara për vendet në senat. Secili prej 50 shteteve amerikane zotëron një numër të caktuar votash elektorale, të cilat i akordohen në bllok kandidatit që fiton në atë shtet. Përveç të qenit në avantazh karshi MekKejnit, në të gjitha shtetet e fituara para katër vjetësh nga kandidati demokrat Xhon Kerri (me një total prej 252 votash elektorale) Obama gjendet përpara edhe në 5 shtete të fituara nga Xhorxh Bushi në vitin 2004: Ajoua, Nju Meksiko, Virxhinia, Kolorado dhe Nevada.

Por me sekretin që garanton kutia zgjedhore përmendet një faktor që mund të luajë rol të rëndësishëm në dëm të Obamës dhe pro MekKejnit. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin "efekti Bredli", i cili merr emrin e politikanit me ngjyrë Tom Bredli, ish-kryetarit të Bashkisë së Los Anxhelosit. Gjatë zgjedhjeve për postin e guvernatorit të Kalifornisë, në vitet tetëdhjetë, Bredli rezultonte në avantazh të fortë kundër rivalit, republikanit të bardhë Xhorxh Dukmexhian, por në fund zgjedhjet u fituan nga ky i fundit. Po kaq shqetësojnë edhe vlerësimet e Xhon Zogbit, sipas të cilave MekKejn është i pozicionuar shumë mirë kur vjen fjala te vota e të bardhëve, duke pasur për vete 54 për qind të zgjedhësve të kësaj kategorie, ndërkohë që Obama mbështetet vetëm nga 40 për qind e tyre.

Numër rekord votuesish

Ajo që bën të mendohet më së shumti se i kurorëzuari do të jetë Obama, është rekordi i numrit të votuesve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e sotme. Dje "Gallup" i rriti vlerësimet, duke parashikuar se nëpër qendrat e votimit do të shfaqen 64 për qind e amerikanëve, 4 për qind më tepër nga mesatarja e parashikuar gjerësisht gjatë kësaj faze të fundit elektorale. Diçka e tillë do të përbënte edhe pjesëmarrje rekord, duke qenë se tavani prej 60 përqindësh është kaluar vetëm në vitet 1960, 1964 dhe 1968. Sipas ekspertëve të sondazheve, një pjesëmarrje e tillë nuk është tjetër veç inaugurimi i një epoke të re pjesëmarrjeje politike në një prej vendeve me përqindjen më të ulët të votuesve në botë.

Pasi fitoi mbështetjen e 240 gazetave amerikane (kundër 114 të MekKejnit), Obama bën tërësisht për vete edhe gazetat universitare: 63 për të, vetëm një për MekKejnin. Vetëm "Daily Mississippian", e Universitetit të Misisipit u vendos përkrah republikanit, ndërkohë që revistat e universiteteve prestigjioze si Amherst, Brandeis, Columbia, Cornell, Duke, Harvard, MIT, St. Mary, Swarthmore dhe Tufts u rreshtuan që të gjitha përkrah kandidatit me ngjyrë.

"Nuk është mister që bota akademike amerikane është thuajse tërësisht pro Obamës", komentojnë mediat amerikane. Gjë që shpjegon edhe përse tentativa e fundit për të përbaltur senatorin me ngjyrë është bërë nga Anglia, nga Universiteti Oksford, nga u bë me dije se autobiografia e tij është shkruar nga miku ish-terrorist Uilliam Ajers, themelues i grupit majtist rebel "Weather Underground". Akademiku Piter Milikan rrëfeu në faqet e "Sunday Times" se ishte kontaktuar nga kuanti i deputetit republikan Kris Kanon dhe se ky i kishte ofruar 10 mijë dollarë për të zbuluar pika të përbashkëta mes autobiografisë së Obamës "Ëndrrat e tim ati" me librin "Ditët e arratisë" të Bill Ajers.

Murdok kundër Obamës

"Profesori e refuzoi kërkesën, sepse kontaktuesi nuk pranoi që rezultati (cilido të ishte) i krahasimit të dy librave të bëhej publik", bëri me dije gazeta "Times", e përditshmja e manjatit konservator të mediave Rupert Murdok, i cili pas një serie skupesh anti-Obama (nga lidhjet me Ajersin te halla pa dokumente emigracioni në Boston) i çuditi të gjithë, duke i dalë në krah me këtë qëndrim. Por që nuk do të thotë aspak se miliarderi i mediave është konvertuar. Në fakt, nisi një sulm përmes një profecie anti-Obama. "Fitorja e tij mund ta përkeqësonte krizën financiare botërore", vërejti gjatë një interviste të dhënë për një kanal televiziv australian. Po në atë intervistë shtoi: "Fitorja e Obamës do të thoshte frenim i globalizimit, pasi u qëndron politikave proteksioniste. Ashtu si edhe politikat e tij fiskale - ulja e taksave për pjesën më të madhe të amerikanëve dhe ngritja për ata që fitojnë më shumë se 250 mijë dollarë në vit - është një marrëzi kokë e këmbë".

Obama në avantazh në 6 prej 8 shteteve kyçe

Sipas sondazhit të djeshëm të realizuar nga "Reuters/Zogby", Barak Obama ka vendosur avantazh në 6 prej 8 atyre shteteve që konsiderohen si përcaktues për fatin e zgjedhjeve të sotme. Rezultatet treguan se Obama është 1 pikë para MekKejnit në Misuri dhe 2 pikë në Florida. Kryeson gjithashtu edhe në Ohajo, Virxhinia dhe Nevada, që të gjithë shtete të fituara nga Xhorxh Bush në vitin 2004. Të pestë këta shtete, ku kryeson Obama, i japin plot 328 vota elektorale - shumë më tepër nga sa mjaftojnë për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë.

"Kryesimi i Obamës është shumë i qëndrueshëm. Sot mund të ketë përpara një ditë të madhe", tha dje eksperti i sondazheve Xhon Zogbi. "Që të gjitha këto shtete janë republikane, me përjashtim të Pensilvanisë dhe zor se gjërat të marrin për keq për të".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›