E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbarimi: Në pesë muaj shteti i pagoi 1 miliard lekë qytetarëve

TIRANE - Plot një miliard lekë kanë përfunduar nga shteti në xhepat e qytetarëve kryeqytetas që nga fillimi i vitit. 

Shifrën e pohon kreu i Përmbarimit të Tiranës, Arjan Bylykbashi, i cili sqaron se kjo është fatura e ekzekutimit të rreth 800 vendimeve të formës së prerë të Gjykatës së Tiranës, që kanë të bëjnë me pagesa së të larguarve padrejtësisht nga puna; detyrime të institucioneve të ndryshme ndaj qytetarëve; dëmshpërblime për burgime të padrejta, etj. Ndërsa janë rreth 600 dosjet e ekzekutuara, me palë qytetarët. Duke prezantuar shifrat Bylykbashi pohon se, gjatë kësaj kohe përmbaruesit gjyqësorë i kanë dhënë përparësi çështjeve që kanë të bëjnë me pensionet familjare. Kjo sipas tij, ka qenë edhe fokusi i punës, pasi këto çështje janë më të ndjeshmet në shoqëri dhe që pasojat e tyre mund të jenë të dëmshme nëse nuk ekzekutohen brenda afatit. Dosje të tilla sipas kreut të Përmbarimit janë pensionet ushqimore, ndarja e pasurisë bashkëshortore etj. Bylykbashi tha dje se, në lidhje me këto dosje, vartësve të tij u është dashur të depozitojnë 10 kallëzime penale në Prokurori për personat që nuk kanë pranuar t’iu paguajnë pensionin fëmijëve të tyre. Ndërkohë sipas përmbaruesit Julian Ahmeti nuk kanë munguar edhe rastet kur, pasi janë verifikuar pasuritë e këtyre personave, ato janë sekuestruar me qëllim shlyerjen e detyrimeve. Tashmë, hyrja në fuqi e ligjit për dhunën në familje ka bërë që Përmbarimit t’i shtohet edhe një kompetencë tjetër mjaft delikate. “Përmbarimi mban kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore përsa i përket verifikimit të adresave të personave për të cilët gjykata ka vendosur të izolohen nga bashkëshortët e tyre apo familjarët e tjerë, pasi paraqesin rrezik për ushtrim dhune. Ne kemi ngritur një strukturë të veçantë brenda Përmbarimit, enkas për këtë qëllim”, pohoi Bylykbashi, i cili shtoi më tej se, Ministria e Drejtësisë ka akorduar një fond të veçantë për këtë qëllim. Ndërsa në lidhje me ekzekutimet e dosjeve gjyqësore Bylykbashi pohoi se, tashmë është shkurtuar mjaft afati, për kryerjen e procedurave dhe se pa frikë mund të thuhet se shifra e ekzekutimeve është 100%.      fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›