E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrohja globale nxit astmën dhe alergjitë

Sipas përllogaritjeve temperatura e planetit tonë, gjatë këtij shekulli pritet të bëhet 4 gradë më e ngrohtë. Ekspertët thonë se temperaturat më të ngrohta kanë filluar t’i bëjnë stinët e pranverës dhe verës edhe më të vështira për ata që vuajnë nga alergjitë dhe astma.

Nëse disave u duket se stina e alergjive ka filluar të bëhet edhe më e vështirë, ata kanë të drejtë. Ekspertët pranë Akademisë amerikane të Alergjisë, Astmës dhe Imunologjisë thonë se ngrohja globale po i bën stinët e polenit, më të gjata e më problematike. Në një raport, këta shkencëtarë tregojnë në mënyra të ndryshme sesi temperaturat ndikojnë astmën, alergjitë dhe çrregullime të tjera të frymëmarrjes. Sipas një studimi të shkencëtarëve britanikë, tek mbi 100 bimë e lule ata vunë re se ato çelin sot 5 ditë më herët sesa 10 vjet më parë dhe 10 për qind e luleve çelin 15 ditë më herët, duke bërë që të zgjatet edhe stina e alergjisë. Ndërsa një tjetër studim thotë se shtimi i gazit të dyoksidit të karbonit është i lidhur me shtimin deri në 90 për qind të polenit ose pluhurave të ngjashme.

Ngrohja globale gjithashtu pritet të krijojë më shumë zjarre pyjesh, të cilat nxisin ndotjen e ajrit që keqësojnë astmën.

Ekspertët rekomandojnë që ata që vuajnë nga alergjia t’i mbajnë dritaret të mbyllura gjatë stinë së polenit, të qëndrojnë brenda gjatë kohës së mesditës dhe t’i ndërrojnë teshat pas çdo veprimtarie që kryejnë jashtë.

Për 1 në 35 meshkuj, kanceri i prostatës është vdekjeprurës

Shoqata amerikane kundër sëmundjeve të kancerit përllogarit se më shumë se 186 mijë burra do të diagnostikohen këtë vit me kancer në prostat. Megjithëse analizat për zbulimin e parakohshëm të këtij lloj kanceri duket si një veprim i arsyeshëm, disa rekomandime të reja tregojnë se nga këto analiza nuk mund të përfitojnë të gjithë.

Një në çdo 6 burra do të preket nga kanceri i prostatës gjatë jetës së tij, por vetëm një në 35 prej tyre do të vdesë prej kësaj sëmundjeje. Kohët e fundit, grupi i punës së shërbimit për parandalimin e sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara botoi disa udhëzime të reja mbi kancerin e prostatës ku thuhet se burrat 75 vjeç e sipër nuk duhet t’u nënshtrohen procedurave të ekzaminimit për të këtë sëmundje. Kjo për arsye se në qoftë se jetëgjatësia e pritshme e një 75-vjeçari është edhe 10 vjet, një kancer i prostatës që zhvillohet ngadalë nuk ka të ngjarë ta prekë atë gjatë këtij 10-vjeçari.

Për burrat në moshë më të re, shërbimi për parandalimin e sëmundjeve këshillon që ata të diskutojnë me mjekun e tyre rreth analizës së antigjenit ose PSA para se t’u nënshtrohen analizave të tjera. Analiza PSA ndihmon në zbulimin e tumoreve në fazat më të hershme, por gjithashtu nxit kryerjen e shumë biopsive të panevojshme.

Ekspertët që janë dakord me këto udhëzime të reja thonë se ato do të pakësojnë një numër analizash të panevojshme për burrat. Por ka të tjerë që nuk janë dakord, duke thënë se t’i këshillosh 75-vjeçarët që të mos kontrollohen për kancer të prostatës do të thotë se kanceri i padiognostikuar mund t’i parandalojë ata të bëjnë një jetë më të shëndetshme e të rrojnë më gjatë.

Megjithatë, shumë mjekë mendojnë se vendimi për kryerjen e analizave rreth kancerit të prostatës varet nga gjendja shëndetësore e çdo individi dhe nga historia familjare e sëmundjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›