E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijohen dy barna kundër alcajmerit

Shkencëtarët mendojnë se dy barna; Dimenon dhe AL-108 mund të ndihmojnë për ngadalësimin sëmundjes së alcajmerit, por ata thonë se për të parë plotësisht dobinë e tyre nevojiten prova të tjera.

Rreth 18 milionë njerëz në botë vuajnë nga alcajmeri, sëmundje vdekjeprurëse që prek trurin, duke sulmuar kujtesën, gjykimin dhe aftësinë e të menduarit. Për alcajmerin nuk ekziston ndonjë mënyrë trajtimi për ndaljen e përparimit të saj. Por shkencëtarët janë plot shpresa rreth dy ilaçeve; Dimebon dhe AL-108. Dimebon doli fillimisht në Rusi disa vjet më parë dhe përdorej kundër alergjive. Më vonë pas disa studimeve u vu re se Dimebon ndihmonte pacientët me alcajmer, duke penguar përparimin e sëmundjes për rreth 1 vit, ndryshe nga barnat e tjera efekti i të cilave zgjaste jo më shumë se disa muaj.

Ilaçi tjetër, që shkencëtarët shpresojnë se mund t’u vijë në ndihmë të prekurve nga alcajmeri quhet AL-108, që është përdorur për zhbllokimin e hundëve dhe lehtësimin e alergjive. Studimet dhe provat klinike kanë treguar se ku ilaç, ngadalëson përparimin e sëmundjes dhe madje mund të përmirësojë kujtesën e pacientëve. Megjithatë shkencëtarët ende nuk janë të sigurt dhe thonë se prova të tjera nevojiten me të dyja këto ilaçe; Dimenon dhe AL-108.

Gjithashtu studime të shumta rreth alcajmerit tregojnë se kjo sëmundje ndikohet shpesh edhe nga mënyra e jetesës dhe karakteri apo personaliteti. Njerëz në moshë mesatare që janë të pamartuar ose nuk kanë partner mund të jenë më në rrezik për t’u prekur prej alcajmerit. Gjithashtu të menduarit vazhdimisht rreth problemeve personale mund ta ulë rrezikun e prekjes prej alcajmerit, pasi të menduarit e vë trurin në punë. Gjithashtu, veprimtaritë fizike dhe mendore kanë treguar se ndihmojnë për pakësimin e gjasave të zhvillimit të kësaj sëmundjeje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›