E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kë do të bashkojë Edi Rama?!



Nga Edvin Kulluri

Tashmë, që prej ardhjes në krye të PS-së, kryetari Rama ka përshkuar një trajektore të qartë të artikulimit të tij, në qendër të së cilës qëndron teza themelore e “përtej së majtës dhe së djathtës”. I debatuar dhe stërdebatuar në media gjatë këtyre tri viteve, ky slogan që paraqet dhe filozofinë e re të partisë më të madhe të opozitës, tashmë po i afrohet dhe gjykimit final me afrimin e zgjedhjeve. Herë i kritikuar si demagogji e herë i vlerësuar si formulë shpëtimi, ky propozim opozitar për të bashkuar shqiptarët në një projekt të vetëm politik, u bë edhe objekt i daljes së fundit të kryetarit të PS-së në “Top Story” të Sokol Ballës. Një “hard talk” me disa gazetarë të njohur që ngjalli në media po aq debat sa edhe vetë teza e përsëritur e bashkimit. Nuk është rastësi që, ashtu si një 1 vit e gjysmë më parë në “Opinion”, edhe këtë herë kryetari i PS-së u acarua me gazetarët në panel, të cilët nuk arritën të sqaroheshin dot për këtë tezë gjithëpërfshirëse “përtej së majtës dhe së djathtës”. Por a kanë faj gazetarët që nuk arrijnë dot të kuptojnë Ramën apo është ky i fundit që nuk ka aftësinë të jetë i përtypshëm nga gazetarët?

Përpara se të jepet një gjykim se cili version i mbylljes tejet të diskutueshme të emisioneve debat të Ramës me gazetarët, duhet marrë në analizë vetë teza e tij që shkakton kaq polemikë. Para së gjithash, duhet thënë se kjo qasje ndaj hapësirës politike është totalizuese. Pra, ajo synon shuarjen e diferencave dhe shijeve të publikut ndaj diversitetit politik. Qoftë i vetë politikës ky diversitet, qoftë i publikut, mund të thuhet se deri tani rezulton një gjendje shoqërore. Pra, shoqëria nuk paraqitet si një e tërë, por e fragmentarizuar në grupe, shtresa, interesa, prejardhje, statuse, histori etj. Ky projekt politik unitar synon me pak fjalë “një popull, një parti dhe një kryetar”. Një popull, do të thotë një votim të përgjithshëm, ku të gjithë pjesëmarrësit në votime do të votojnë për një parti, pra një lider (meqë zoti Rama u shpreh se partitë moderne janë parti të liderit). Pra, shoqëria duhet të ndajë mendjen e të votojë në mënyrë uniforme pa dallim nga interesat, historitë, shijet e projektet politike të secilit individ, grup shoqëror, interesi etj. Por a është e mundur të ndodhë kjo paradigmë që do të thyente paradigmën aktuale të pluripartitizmit?

Si fillim, duhet shkuar në rrënjët e pluralizmit politik shqiptar. Ai lindi si një reagim ndaj diktaturës komuniste, e cila kishte fashitur për rreth 50 vite diversitetin e interesave të anëtarëve të shoqërisë. Ndaj emërtohej si çdo regjim komunist, “regjim totalitar”, pasi parashikonte që një hapësirë politike a publike ta quajmë homogjene. Të supozuar si hapësirë të barazisë mes të barabartëve, uniformëve. Shtetasve me një prerje, atë të njeriut të ri socialist, që pavarësisht nga puna e kryer apo talenti i zotëruar apo prona e trashëguar jetonte në mënyrë të njëjtë me tjetrin. Askush nuk duhej të gëzonte privilegje më shumë se të tjerët, e në rrafshin e pushtetit politik ishte i barabartë me anëtarët e Byrosë Politike dhe njëkohësisht me traktoristin e kooperativës më të humbur. Kjo ëndërr utopiste në fund e degradoi atë sistem në një karikaturë të barazisë, ku me mijëra njerëz përfunduan burgjeve e të tjerë u pushkatuan e u internuan për shkak se nuk binin dakord me këtë model politik të barazisë së pamundur. Ndaj dhe rrëzimi i komunizmit në të gjithë botën solli me vete një sistem të ri politik, në bazë të të cilit i vetmi atribut që i vishet barazisë, është ai i barazisë para ligjit. Mbase shoqëria shqiptare akoma nuk e ka arritur këtë synim, por përpjekjet e politikës kanë synuar arritjen e këtij qëllimi madhor. E thënë ndryshe, ky është kuptimi i “shtetit ligjor”, barazia formale, ku përballë institucioneve, fjala vjen, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe një ndërtues çfarëdo, të trajtohen si të barabartë.

Por me sa duket, kryetari i PS-së nuk ka parasysh këtë lloj barazie, por atë të parën, të një shoqërie uniforme e një klasë politike të ndarë në dy kategori. Atë që duhet të vijë në pushtet si “klasë e re” e drejtuar prej tij dhe një “të vjetër”, ku futen të gjithë ata që nuk i pëlqejnë zotit Rama, duke filluar që me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, e deri tek LSI-ja e Ilir Metës, që sipas Ramës e Veliajt duhet nxjerrë nga politika e mundësisht edhe nga historia e pluralizmit. Në këtë mënyrë “bashkimi” i propozuar nga Rama e të rinjtë “e emëruar” prej tij në politikë, duan të bashkojnë shqiptarët, dukë lënë jashtë shumicën e përfaqësuesve të tyre. Ky lloj bashkimi që nis nga përjashtimi, në vetvete është paradoksal. Vetë fjala përjashtim nuk e mbart bashkimin, ndaj një bashkim që vjen prej përjashtimit nuk mund të jetë veçse retorikë. Pra, një artikulim shterpë ku ideja qendrore është një asgjë. I vetmi skenar i mundshëm i kësaj lëvizjeje politike mund të synojë bashkimin i njerëzve pro Ramës brenda Partisë Socialiste, por do të jetë e pamundur të bashkojë opozitën e jo më edhe popullin që voton për mazhorancën.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›