Mashtrimi 7 milionësh, e pyetën për adresën dhe i morën paratë
VLORË – Një skenar mashtrimi i dy të rinjve, të cilët kanë ndaluar një person për ta pyetur për një çështje fare pa rëndësi, ka përfunduar me 7 milionë lekë përfitim. Ngjarja ka ndodhur pranë rrugës kryesore të qytetit bregdetar. Qytetari, i cili ka bërë denoncimin në polici, ka shpjeguar se në ato momente i është kërkuar një informacion nga dy të rinj. Pikërisht teksa kanë hyrë në bisedë me ta, ata kanë mundur t’i grabisin çantën, duke përfituar edhe nga mbipopullimi i trotuarit në këtë zonë. Dy mjete policie kanë mbërritur me të marrë sinjalizimin, por ka qenë e pamundur kapja e dy të rinjve, të cilët i janë bashkuar thjesht rrjedhës së shëtitësve përgjatë rrugës kryesore, për të përdorur më pas automjetin. Emri i personit që ka rënë pre e mashtrimit nuk është bërë i ditur nga policia, e cila njofton se po heton për identifikimin e autorëve. Rasti i denoncuar së fundi në fakt nuk është i vetmi. Ka shumë të tillë të denoncuar nga qytetarë, e sidomos të ardhur me pushime, të cilët janë bërë pre e mashtrimit. Po një tjetër pushues nga Korça ka denoncuar dje vjedhjen e automjetit të tij, të cilin e kishte parkuar në parkingun e plazhit Zhiron.
a
14 Gusht 2008