E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitjet tmerrojnë pushuesit në plazh, kapet banda e të miturve



DURRËS – Grabitjet e turistëve në plazhin e Durrësit janë kthyer në një shqetësim të vërtetë. Ndonëse policia paralajmëroi masa për parandalimin e fenomeneve të tilla, gjatë gjithë kësaj periudhe janë regjistruar me dhjetëra raste. Vetëm në dy ditët e fundit disa pushues nga Maqedonia, por edhe pronarë hotelesh që ndodhen në zonën e Plazhit, në lagjen Nr. 13, kanë “rënë” pre e grabitjeve të njëpasnjëshme nga grupe të organizuara. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se kanë ndaluar dy ditë më parë dy persona të dyshuar për një sërë vjedhjesh në komplekset hoteliere përgjatë bregdetit. Sipas tyre, janë ndaluar shtetasit M. C. dhe A. N., banues në Allias të Tiranës, por për shkak të moshës, pas verifikimeve të para, janë në hetim në gjendje të lirë.
Grabitjet
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se në fund të muajit korrik në lagjen Nr. 13 në Sektorin “Hekurudha”, është vjedhur mjeti tip “Peugeot”, me targa 307 KS 798, pronë e shtetasit Xh.I., banues në Kosovë. Pak ditë më vonë, në Sektorin “Apollonia”, pikërisht në hotelin pronë e shtetasit M. T., në njërën nga dhomat e katit të katërt, të cilin ai ia kishte dhënë me qira për pushime shtetasit R. A., lindur në Kosovë dhe banues në Gjermani, është vjedhur një portofol në të cilin ndodhej shuma prej 2300 eurosh. Një tjetër vjedhje raportohet nga burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, më 31 korrik, pikërisht në zonën e Apollonisë, në Lagjen Nr. 13, në zonën bregdetare, është vjedhur me thyerje hoteli, pronë e shtetasit F.I., ku është marrë sasia prej 2000 eurosh. Këto grabitje janë kryer thuajse në të njëjtën ditë. Pas disa ditësh hetimi policia arriti të identifikojë dhe ndalojë autorët, por një situatë e tillë ka krijuar gjendje alarmi tek pushuesit e shumtë që frekuentojnë zonën e plazhit.
Arrestimet
“Si rezultat i punës së kryer, rezultoi se autorë të dyshuar të këtyre ngjarjeve janë shtetasit M.C., 11 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Allias të Tiranës, dhe shoku e njëkohësisht fqinji i tij A.N., 14 vjeç, lindur në Lezhë”, - bëjnë të ditur burimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit. Sipas tyre, ndonëse është ndaluar 11-vjeçari M.C., ende nuk është gjetur autovetura e vjedhur, e cila dyshohet të jetë shitur nga të miturit disa ditë më parë. Ndaj 11-vjeçarit me origjinë nga Mirdita rëndon edhe akuza për vjedhjen e shumës prej 2000 eurosh në hotelin që ndodhet tek “Apollonia”, në pronësi të shtetasit F.I.
Zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Ornela Cako, bën të ditur se janë zbardhur edhe autorët e vjedhjes së shumës prej 2300 eurosh në katin e katërt të hotelit në, lagjen “Apollonia”, të cilët janë sërish dy të miturit me banim në periferi të kryeqytetit. “Materialet procedurale lidhur me dy personat e sipërpërmendur i janë dërguar Prokurorisë së Rrethit Durrës. Shtetasi M.C., për shkak të moshës së mitur nuk mban përgjegjësi penale dhe i është dorëzuar prindërve të tij, ndërsa për shtetasin A.N. prokuroria do të shprehet lidhur me procedimin penal të tij”, - thonë burimet policore.
Deri më tani janë arrestuar disa persona, ku nuk mungojnë as të mitur, për vjedhje në zonat turistike. Në prag të sezonit, strukturat policore në Qarkun e Durrësit premtuan se do të parandalojnë grabitjet në zonat ku ka fluks pushuesish, por ngjarjet e njëpasnjëshme iu kanë lënë një shije të hidhur turistëve që zgjodhën këtë vit Durrësin për të kaluar ditët e verës.

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›