E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis aplikimi për karta identiteti në qelitë e burgut 313 në Tiranë

 

TIRANE - Filloi dje procesi i aplikimit për pajisjen me kartat e reja të identitetit për personat me liri të munguar. Të parët në "radhë" ishin të paraburgosurit që mbahen në ambientet e burgut 313 në kryeqytet. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Sipas këtyre burimeve, procesi i hapur dje në paraburgimin e 313-ës do të vijojë edhe në institucionet e tjera të paraburgimit si dhe të vuajtjes së dënimit në vend. Nga një total prej 420 të paraburgosurish në ambientet e burgut 313 ditën e djeshme kanë mundur të aplikojnë rreth 60 persona. Aplikimi i tyre është bërë pa pagesë çka do të thotë se kartat do të jepen falas. Puna për "vënien në jetë" të procesit të aplikimit për kartat e reja të identitetit për personat me liri të privuar ka nisur pak ditë më parë. Pas arritjes së një marrëveshjeje mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë u vendos që aplikimi për këtë kategori personash të kryhej në ambientet, ku ata po kalojnë kohën e paraburgimit apo të burgut. Sipas burimeve, fillimisht është bërë pajisja me infrastrukturën e nevojshme, e cila nënkuptonte vënien e linjës së internetit në pikat ku do të bëhej aplikimi. Mësohet se është montuar nga një pikë aplikimi në çdo sektor të institucioneve të vuajtjes së dënimit. Pajisja me kartat e reja të identitetit për të personat me liri të munguar hasi në disa vështirësi ligjore deri në vënin në zbatim. Për shkak të vonesës në 13 mars të këtij viti Avokati i Popullit kërkoi me anën e një rekomandimi ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe ministrive të Drejtësisë dhe të Brendshme të fillonin procesin. Vendimi i Këshillit të Ministrave "për pajisjen, për herë të parë, me letërnjoftim, të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese, për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve", në pikën 2 të tij, pohonte se aplikimi kryhej vetëm në zyrat e regjistrimit, pranë bashkive, komunave apo njësive bashkiake përkatëse. Për shkak të pamundësisë për të realizuar regjistrimin e të burgosurve e paraburgosurve në këto vende u nevojit marrëveshja mes tre institucioneve.                                                                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›