E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godet me thikë shokun e klasës, dorëzohet 21-vjeçarja

13/01/2009  Viktima jashtë rrezikut. Ledia Zeka: E qëllova se më kërkonte lekë për drogë

VLORE- Godet me thikë shokun e universitetit pas grindjes. Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur paraditen e djeshme në universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, kur një vajzë 21 vjeçe ka qëlluar me mjet të ftohtë një tjetër student. Autorja, sipas burimeve policore, është Lediana Zeka 21 vjeçe, ndërsa viktima Klaudio. Ata kanë nisur fillimisht të debatojnë duke iu drejtuar derës dalëse të ndërtesës ku nuk kanë munguar dhe fjalët fyese, skenë kjo e ndjekur dhe nga studentët e tjerë. Gjatë debateve për një moment, 21-vjeçarja Zeka ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe ka qëlluar në drejtim të të riut në grykë dhe menjëherë, pasi ka kryer këtë veprim studentja e tensionuar është larguar. Kamberi, i cili është gjakosur menjëherë për shkak të plagës së marrë është transportuar nga shokët e tij për në spitalin rajonal të qytetit të Vlorës, ku i është nënshtruar një operacioni kirurgjikal. Sipas mjekëve, gjendja e tij është problematike edhe pse përgjatë ditës së djeshme e ka kaluar rrezikun për jetën, por plaga e shkaktuar nga mjeti i mprehtë i ka prerë damarë të qafës, gjë e cila i ka shkaktuar dhe gjakderdhje të madhe. Studentë të cilët gjendeshin në vendngjarje dhe i njohin nga afër dy të rinjtë shprehen se mes të dyve ka pasur një lidhje prej disa kohësh. Debatet midis të dyve kanë qenë shumë të shpeshta madje dhe ofendimet në klasë nuk kanë munguar. Një orë pasi ka kryer plagosjen, Lediana Zekaj është dorëzuar në komisariat së bashku me armën e krimit. E pyetur në polici se pse e kishte kryer plagosjen me lot në sy studentja është përgjigjur se nuk mund të duronte dot më ofendimet që i bëheshin nga Klaudio”. Më kërkonte lekë për të blerë drogë dhe kur nuk i jepja më ofendonte”, është shprehur para bluve 21-vjecarja. Ajo shton se kjo situatë kishte disa muaj që përsëritej, madje edhe në klasë gjatë orëve apo pas mësimit ofendimet nuk mungonin nga ana e tij. Ai pinte drogë, nuk e duroja dot më dhe për këtë arsye sot mora me vete thikën”, është shprehur ajo. Ndërkohë rektorati ka reaguar duke thënë se dënonte veprimin e dhunshëm dhe se do merrte një vendim ndaj atyre që kanë shkelur rregulloren e universitetit.

Dh. Spiro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›