E Diel, 1 Nëntor 2026

Humbjet në rrjetin elektrik, shkarkohen drejtues

13/01/2009  Durrës, edhe arkëtimet shumë të ulëta

DURRES- Drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi, ka liruar dje nga funksionet drejtuese drejtorin e njësisë elektrike në Krujë, shefin e zyrës së shitjes së energjisë po në Krujë si dhe kryeinxhinierin e agjencisë elektrike në Durrës. Analiza vjetore e OSSH-së në Durrës ka reflektuar treguesit negativë dhe veçanërisht arkëtimet e dobëta dhe shifrat shumë të larta të humbjes në rrjet. Në asnjë nga rajonet e zonës elektrike të Durrësit nuk ka pasur shifra të kënaqshme. Në nivel zone është thënë se humbjet kapin shifrën 38 për qind, kurse muaji dhjetor ka dhënë tregues edhe më të dobët në një kohë që OSSH e Durrësit ka marrë më shumë 10 milionë kilovat orë energji elektrike sesa muajt e tjerë. Drejtori i zonës në Durrës, Agron Seseri, ka thënë se humbjet më të mëdha janë shkaktuar në agjencinë e Krujës me 52.5 për qind, Fushë-Krujës me 47.4 për qind dhe Shijaku me 37.4 për qind. Por për drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme, Sahid Dollapi, gjendja paraqitet shqetësuese edhe në Durrës. Drejtori ka vendosur t’i shkojë deri në fund ideve të tij duke pohuar se do të jetë i pranishëm në çdo analizë të agjencive, ndërkohë që 6400 punonjësit e OSSH-së do të kenë kontratë të re. Ky veprim që do të nisë shumë shpejt është justifikuar me idenë se pjesë e punonjësve rezultojnë figurant në elektrik dhe se nuk kryejnë asnjë lloj pune.

Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›