E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis asfaltimi i autostradës

Nga Express më 15 prill 2011 në ora 16:05

Autostrada Vërmicë-Merdar është projekt historik për Kosovën evropiane dhe për integrimin e shqiptarëve në BE, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e fillimit të asfaltimit të kësaj autostrade, e cila nga Theranda deri në Vërmicë pritet të jetë e gatshme për qarkullim në fund të tetorit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, dhe kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, kanë marrë pjesë të premten në fillimin e asfaltimit të autostradës Vërmicë-Merdar.

Asfaltimi ka nisur në kilometrin 11-të të autostradës. Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka falënderuar kompaninë “Bechtel Enka” për punën e bërë, ndërsa autostradën e ka cilësuar si projekt historik për Kosovën evropiane dhe për integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian.

“Kjo autostradë është për një shtet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për të ardhmen e tyre”, ka thënë ai.

Për më tepër, kreu i Ekzekutivit projektin e autostradës e ka cilësuar si një mundësi e mirë për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Punët janë duke shkuar sipas planit të paraparë. Zgjerimi i trasesë ka vazhduar deri në Therandë prej Vërmicës me gjatësi prej 33 kilometrash”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Sipas tij, asfaltimi i gjithë kësaj pjese të autostradës pritet të përfundojë në fund të tetorit, kur do të jetë e qarkullueshme, ndërsa është planifikuar që së shpejti të fillojë edhe seksioni i pestë i punimeve të autostradës nga Duhla në drejtim të Orllatit.

Pasi të përfundojë projekti i autostradës “Ibrahim Rugova”, pritet të nisë projekti për ndërtimin e autostradës Sllatinë-Ferizaj-Kaçanik në drejtim të Shkupit. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›