E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje mban zgjedhjet e brendshme

Nga Express më 15 prill 2011 në ora 17:07

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, ka bërë të ditur se që nga dita e premte ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor, nga i cili pritet që të dalin edhe strukturat drejtuese të kësaj qendre.

Në emër të kësaj lëvizje, Naim Jakaj bëri të ditur se kjo qendër për më shumë se pesë vite të funksionimit ka zhvilluar aktivitete politike, me të cilat ka kundërshtuar regjimin politik, i cili ka nënshtruar qytetarët.

“Gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar ne kemi arritur një rritje solide në masën e 20 për qindëshit dhe për këtë i falënderojmë të gjithë aktivistët dhe anëtarët tanë. Për këtë arsye si dhe për atë që domosdoshmërish Ferizajt i nevojitet një organizim politik, ne do të nisemi procesin e zgjedhjeve të brendshme, andaj i lusim anëtarët dhe simpatizantët tanë që të pajisen me kartelë”, ka thënë Jakaj, transmeton KosovaPress.

Kurse drejtues nga Lëvizja Vetëvendosje besojnë tek demokracia e drejtpërdrejt që buron nga vullneti i lirë i popullit dhe i cili zbatohet përmes përfshirjes aktive të tij në marrjen e vendimeve në rrafshin politik dhe atë socio-ekonomik.

Mësohet se procesi i zgjedhjeve të brendshme në Vetëvendosje do të vazhdoj deri me 15 maj kur edhe do të dihen drejtuesit e pikave dhe delegatët e kuvendit. Pas kësaj date do të organizohet edhe kuvendi zgjedhor nga i cili pritet të dal edhe Këshilli i qendrës, kryesia dhe sekretariati i qendrës.

Besohet se ky subjekt, i cili sipas drejtuesve gjithnjë po shënon rritje, do të shtrihet në të gjitha vendbanimet e komunës së Ferizajt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›