Premton mbështetje

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, gjatë një vizite në Mitrovicë ka premtuar se përmirësimi i gjendjes së shëndetësisë në këtë komunë do të jetë prioritet i ministrisë që ai drejton.
Ai gjatë qëndrimit në Mitrovicë, pos takimeve me drejtuesit e komunës, vizitoi edhe spitalin e ri dhe shtëpinë e shëndetit.
“E dimë gjendjen në Mitrovicë, andaj nuk do të kursejmë asgjë që të ndryshojmë këtë gjendje”, ka thënë Agani.
Ai po ashtu premtoi edhe mbështetje për problemin e mungesës së kuadrit për spitalin e ri të ndërtuar me ndihmën e Qeverisë së Norvegjisë.
“Objekti i ri i spitalit është shumë modern andaj ne do të ndihmojnë që të zgjidhet problemi i mungesës së mjekëve”, u shpreh ministri Agani, duke premtuar angazhim në rritjen e kompetencave për komunën sa i përket menaxhimit të spitalit.
Sipas tij, Mitrovica ka situatë specifike prandaj duhet të bëhet edhe zgjidhje specifike.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar ministrin Agani për mbështetjen, si dhe Qeverinë Norvegjeze që ka ndihmuar për ndërtimin e spitalit në Mitrovicë.
Ndërsa për gjendjen aktuale në shëndetësi ka folur drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Shaqir Demiri, i cili ka përshkruar në detaje problemet dhe nevojat.
Bashkë me ministrin në takim ka qenë edhe zëvendës ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jon Hansen, i cili ka premtuar se ndihma nga shteti i tij nuk do të mungojë edhe në të ardhmen për shëndetësinë e Mitrovicës.