E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e Erzenit dhe Ishmit, ambientalistët: “Po rrezikohet bregdeti”

Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës ka dhënë alarmin e ndotjes masive dhe mbi normat e lejuara të dy lumenjve Erzen dhe Ishëm, dhe çfarë është më e keqja, rrezikohet ndotja masive edhe e pjesëve të bregdetit ku ato derdhen. Sipas shefit të ARM-së, Agim Shtama “shkalla e ndotjes së dy lumenjve të cilët derdhen në bregdetin e Durrësit vazhdon të rritet. Aq e ndjeshme është kjo ndotje, saqë të kontrollosh grykëderdhjet e tyre në det, do të shohësh disa qindra metra bregdet të ndotur me lloj-lloj mbeturinash të transportuara nga këta lumenj”. Sipas ambientalistëve, shkak i ndotjes së këtyre lumenjve është përdorimi i ujërave për depozitimin e mbeturinave urbane dhe inerte përgjatë shtratit nga qendrat urbane të cilat përshkohen prej tyre. Lumi Ishëm sipas një studimi të paradokohshëm të kryer nga një institut zviceran, rezulton të jetë lumi më i ndotur në shkallë vendi. Ky lumë është i gjatë 74 km dhe formohet nga bashkimi i lumit të Tiranës me përroin e Tërkuzës dhe atë të Zezës. Ky lumë derdhet pranë fshatit Drac të komunës së Ishmit, në atë pjesë që njihet edhe si plazhi me të njëjtin emër. Përgjatë shtegtimit të tij ai përshkon disa qendra të banuara derisa përfundon në det. Ndërsa lumi Erzen është i gjatë 109 km dhe buron nga Mali me Gropa. Ai derdhet në Gjirin e Lalësit, po në komunën e Ishmit. Për sa i përket nivelit të ndotjes, ai vlerësohet një shkallë më poshtë se lumi Ishëm. Inxhinieri i mjedisit, Vlash Grami, deklaroi për “standard” se “pas një studimi të kryer jo shumë kohë më parë, shkaqet e ndotjes së këtyre lumenjve, janë disa, por më kryesoret janë derdhja e mbetjeve industriale dhe derdhja e ujërave të zeza në lumenj”. Po të shohësh këto ditë vere, në grykëderdhjet e tyre syri të zë mbeturina nga më të ndryshmet duke nisur nga ambalazhet plastike e deri te mbeturinat e kafshëve të ngordhura, pa harruar derdhjet e kanaleve të ujërave të zeza në mungesë të impianteve të përpunimit të tyre. Përveç ekzistencës së këtyre mbeturinave, në grykëderdhjen e lumit Ishëm ndihet edhe një erë e rëndë kutërbuese. Banorët e qendrave të banimit të cilat përshkohen nga këto lumenj, hedhin plehrat e përditshme në ujërat e tyre, ndërsa fabrikat e lëkurëve hedhin mbetjet teknologjike. Në lumë hidhen gjithashtu edhe skeletet metalike të automjeteve të dala jashtë përdorimit.

Interne-kafetë, më të frekuentuarat e plazhit

Internetet kanë qenë lokalet që kanë pasur frekuentimin maksimal nga të rinjtë, dhe jo vetëm ata, në zonën e plazhit të Durrësit. Kanë pasur një sezon veror të mbarë lokalet e internetit të cilat janë ngritur në zonën e plazhit të Durrësit. Janë disa dhjetëra të tillë të cilët kanë njohur një frekuentim thuajse non stop që nga fillimi i verës. Pushuesit të cilët në pjesën më të madhe të tyre janë kosovarë dhe shqiptarë të Maqedonisë rezidentë në vende të ndryshme të Europës, kanë qenë frekuentuesit më të mëdhenj të internetit. Duke përfituar edhe nga tarifat e ulëta ata i kanë realizuar online të gjitha komunikimet e tyre. Këto lokale gjatë gjithë stinës së nxehtë thuajse nuk janë mbyllur fare, pasi kanë pasur punë natën dhe ditën. Një situatë e tillë pritet të vazhdojë deri në fund të muajit gusht, dhe më pas lokalet e internetit do të luftojnë për mbijetesën e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›