Nis dhënia e legalizimeve në rrethe
Dike nisur nga sot, Agjencia e Legalizimeve do të nisë shpërndarjen e lejeve të legalizimit në të gjitha zyrat rajonale. Një fakt të tillë e ka konfirmuar kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, i cili tha se pritet të ndahen rreth 4 mijë leje në javë. Zyrat rajonale do të ndajnë certifikatat e pronësisë dhe më pas nis procesi i pagesave të tarifave të legalizimit. Sipas ALUIZNI-t në total janë shqyrtuar 275 mijë ndërtime pa leje, nga të cilat 36 për qind vetëm në Tiranë. Me dhënien e lejes së legalizimit, në treg do të çlirohen 10 miliardë dollarë pasuri të paluajtshme. Memia ka thënë se me dhënien e certifikatës, nis edhe procedura e pagesave për ndërtimin sipas ligjit. Ai vuri theksin edhe në dëmshpërblimin financiar të ish-pronarëve të tokës. Kreu i ALUIZNI-t përmendi se në zonat bregdetare janë evidentuar 10 mijë ndërtime pa leje për të cilat pritet një ligj apo vendim për të përcaktuar fatin e tyre. Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, proces i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilave janë kualifikuar për legalizim. Qeveria ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilën banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Kjo do të llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për metër katror, të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Në ligjin për legalizimet janë përcaktuar edhe çmimet përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Ligji ka përcaktuar edhe çmimet e përfundimit të këtij procesi, sipas sipërfaqes dhe zonave informale përkatëse.