Qeveria, ndërtuesit të ulin çmimet stratosferike
Një ditë pas reagimit të Shoqatës së Ndërtuesve, Ministria e Transporteve është përgjigjur duke u bërë thirrje ndërtuesve të ulin çmimet stratosferike. Ministria mendon se qeveria ka dhënë ndihmën e saj për këtë sektor, si dhe po jep ende, duke e kaluar përgjegjësinë tek vetë ndërtuesit. Sipas ministrisë, çmimet e këtij sektori duhet të ulen në rast se vetë ndërtuesit kërkojnë rigjallërimin e tij. Në reagimin zyrtar, Ministria e Transporteve u bëri thirrje ndërtuesve të heqin dorë nga fitimet e mëdha. “Për të ndihmuar sektorin e ndërtimit, qeveria aktuale shfuqizoi marrëveshjet e trashëguara nga qeveritë e mëparshme dhe hoqi aplikimin e TVSH-së për shitjet, por qeveria e fton sektorin e ndërtimit që të heqë dorë nga çmimet stratosferike të shitjes dhe të aplikojë çmime me një normë fitimi të arsyeshme”, - tha zëdhënësja e ministrisë, Erla Mëhilli. Ajo shtoi: “Qeveria e konsideron sektorin e ndërtimit si një nga motorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit dhe për këtë arsye ka marrë, po merr dhe do të vazhdojë të ndërmarrë politika në dobi të konsolidimit të mëtejshëm të këtij sektori vital për ekonominë e vendit”. Në deklaratën e saj, zëdhënësja përmendi disa nga lehtësisë që qeveria ka dhënë për sektorin e ndërtimit. Ndërsa dje, Shoqata e Ndërtuesve kërkoi që rritjen e shpenzimeve, si dhe uljen e TVSH-së. Ministria u përgjigj duke thënë se këto ndihma janë dhënë. “Një ndihmë e konsiderueshme dhënë për sektorin e ndërtimit është rritja më së paku me 8 herë krahasuar me qeveritë e mëparshme e financimeve për punët publike në infrastrukture. Jo vetëm kaq, por rritja e pragut për tenderat ndërkombëtarë nga 200 milionë ku e gjetëm në 1 miliard e 200 milionë është një ndihmesë e madhe për sektorin e ndërtimit sikurse dhe vlerësimi i kapaciteteve të këtij sektori për të kryer punë”, - tha Mëhilli. Ajo shtoi se përveç shpenzimeve të mëdha nga ana e qeverisë në punët publike, krahas heqjes së TVSH-së në shitje për ndërtimin, ka edhe projekte të mëdha në ndihmë të ndërtimit. “Gjithmonë në kuadër të ndihmës për sektorin e ndërtimit qeveria po përgatit kuadrin administrativ për mbulimin 100% të interesave të kredive për 6000 apartamente, 3200 të destinuara për familjet që banojnë në apartamentet e ish-pronarëve dhe pjesa tjetër për familjet që kanë statusin e të pastrehut si dhe po aplikon programin e banesave sociale me qera për 1100 apartamente, program që është në vazhdim”, - tha zëdhënësja e ministrisë. Në fund të fjalës së saj, zëdhënësja shtoi: “Këto masa të përmendura më lart janë mjaft favorizuese për sektorin e ndërtimit, por edhe një herë ftoj ndërtuesit, jo ata të infrastrukturës, por ata të apartamenteve, që të rishikojnë çmimet e tyre të shitjes, të cilat duhet të jenë më të arsyeshme për të qenë më afër mundësive të qytetarëve”.
LSI: Ndërtimi ka ngecur
Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se sektori i ndërtimeve ka ngecur. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se sektori i ndërtimit është prekur nga kriza. Ai kërkoi ndërhyrje të mëtejshme të qeverisë për këtë sektor. “Pas bërjes publike të krizës nga fasonistët një sektor ku kanë qenë të punësuar rreth 100 mijë njerëz dhe humbjes së punës së mijëra prej tyre, tashmë edhe sektori i ndërtimit pohon krizën e rëndë ku ka hyrë. Mijëra apartamente dhe ambiente të tjera të mbetura pa shitur dhe për pasojë kriza e rëndë që ka përfshirë ndërtimin një nga sektorët absolutisht më të rëndësishëm për ekonominë e vendit do të thotë mijëra vende të tjera pune të humbura dhe mijëra familje shqiptare që kërcënohen nga mungesa e bukës së gojës”, - tha Vasili.