E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Zgjedhjet, më shumë gra në Kuvend



Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, garantoi se në Parlamentin e ardhshëm do të ketë minimalisht 30 për qind gra. Kryeparlamentarja hapi dje zyrat e Kuvendit ku priti me qindra gra nga i gjithë vendi, me të cilat diskutoi për barazinë gjinore. “Nëse nuk kemi aktualisht 50 për qind të përfaqësimit, të nisim me 30 për qind përfaqësim të grave në Parlamentin e ardhshëm, - tha Topalli. - Unë uroj dhe besoj se ne do ta arrijmë”. Ajo tha se shoqëria duhet të pranojë mesazhin për një vendimmarrje me më shumë gra. “Kjo do të sjellë një tjetër mendësi dhe një përqendrim më të madh për të zgjidhur disa probleme që ndoshta për burrat nuk duken aq të rëndësishme, por në fakt janë jetësore për fëmijën, të moshuarin, të sëmurin, sepse ndaj këtyre personave ndjeshmëria e nënave, grave është shumë e madhe”, - tha Topalli. Në fjalën e saj, Topalli tha se shoqëria do të emancipohet dhe do të jetë më e drejtë kur gruaja të zërë vendin që i takon në shoqëri. “Si politikë e veçantë e kësaj dite është Parlamenti me dyert e tij të hapura për të dhënë mesazhin që ky duhet të jetë vendi ku shoqëria të jetë e përfaqësuar ashtu siç ajo në fakt është e përbërë. Unë nuk kam thënë kurrë se gratë janë më të zonjat se burrat, por unë mendoj se ato duhet të jenë të përfaqësuara plotësisht, sepse është çështje e së drejtës, çështje e emancipimit tonë dhe e shoqërisë”, - deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja shtoi njëkohësisht se e sheh 8 Marsin “në perspektivën e asaj që ka arritur gruaja shqiptare; emancipimin e dukshëm të saj, shkollimin e jashtëzakonshëm, kurajon me të cilën ajo ecën në jetën e përditshme dhe përballë vështirësive të jetës”.

Gra nga e gjithë Shqipëria mbërritën në Kuvend dhe vizituan mjediset e tij, zyrat, sallat ku merren vendimet e miratohen ligjet. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur e takuar miqësisht të gjitha gratë që dje erdhën në Kuvend duke u uruar atyre 8 Marsin, por mbi të gjitha duke i inkurajuar ato të ecin përpara dhe duke ftuar të gjitha vajzat dhe zonjat që dëshirojnë të bëhen pjesë e vendimmarrjes së madhe. Një grup prej mbi 50 gra të administratës qeveritare të Kosovës erdhën dhe takuan kryetaren Topalli. Kryetarja e Kuvendit theksoi se sakrifica dhe kuraja e nënave dhe grave kosovare nuk duhet të harrohet, përkundrazi, duhet të shërbejë si motivim për të gjithë brezat në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

Berisha: Barazia gjinore, betejë themelore e qeverisë sime

Kryeministri Sali Berisha uroi dje gratë shqiptare me rastin e 8 Marsit, duke premtuar se qeveria e tij do të kryejë një betejë për realizimin e barazisë gjinore. Kreu i qeverisë vuri theksin në emancipimin e shoqërisë dhe sipas tij, barazia është kushti kryesor. “Duke u përulur me nderim të thellë përpara sakrificës së tyre të madhe, ndihmës dhe kontributit të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë, unë i garantoj ato se qeveria do të vazhdojë me përkushtim të madh betejën dhe përpjekjet derisa në shoqërinë shqiptare të vendoset barazia reale midis motrës dhe vëllait, midis burrit dhe gruas, midis nënës dhe babait. Është dhe do të jetë kjo një betejë themelore e qeverisë sime, betejë për emancipimin e shoqërisë dhe zhvillimin e harmonishëm të shoqërisë shqiptare”, - deklaroi Berisha. Në urimin e tij në këtë ditë festive për të gjithë shqiptarët, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për kontributin dhe rolin e tyre në jetën e vendit si dhe siguron beteja dhe përpjekje të pandërprera për barazinë gjinore, kusht i vetëm për një shoqëri më të emancipuar. “Ju përcjell të gjitha vajzave, grave, nënave dhe motrave shqiptare urimet e mia më të përzemërta për veten dhe bashkëshortët, fëmijët, familjet e tyre. Edhe një herë ju uroj Gëzuar Festën e 8 Marsit vajzave dhe grave në mbarë Shqipërinë”, - uroi Kryeministri.

Presidenti Topi: Gratë të ngrenë kokën

Në urimin tradicional me rastin e Ditës së Gruas, 8 Marsi, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uroi gratë shqiptare për festën dhe u bëri thirrje që të ngrenë kokën për të drejtat e tyre. Duke përfituar nga kjo festë, Topi inkurajoi gratë që të mos rreshtin për të arritur të drejtat e tyre në shoqëri. “Përfitoj nga kjo ditë feste për të inkurajuar të gjitha gratë shqiptare që të mos i rreshtin përpjekjet për të arritur të drejtat e tyre legjitime. Emancipimi femëror ka qenë dhe mbetet një proces i gjatë, i cili po ecën me ritme të jashtëzakonshme kudo në botë. Sot gratë kanë pozicione të rëndësishme në pushtet, mund të ndërmarrin çdo lloj karriere që dëshirojnë, e megjithatë barazia gjinore e pranuar formalisht nga të gjithë, mbetet ende një sfidë, për të cilën duhet të kontribuojmë të gjithë”, - deklaroi Presidenti. Ai shtoi se gratë kanë treguar se e meritojnë më shumë në shoqëri ndaj dhe bëri thirrje që në zgjedhjet e ardhshme, përfaqësimi i tyre të rritet. “Një mundësi e mirë janë zgjedhjet e afërta të përgjithshme dhe është koha që gratë të mbështeten në përfshirjen e tyre aktive në politikë, pasi tashmë po dëshmojnë se e justifikojnë plotësisht besimin që u është dhënë, duke i emëruar në institucione të rëndësishme të pushtetit”, - deklaroi Topi.

“Një Lule për një Nënë” nga minibashkia 10

Kryetari i minibashkisë numër 10 në kryeqytet, Gerti Bogdani, i mbështetur nga 10 të rinj vullnetarë, kanë shpërndarë 1 mijë lule për nënat në ditën e 8 Marsit. Duke vazhduar traditën e një viti më parë, njësia bashkiake nr. 10 në kryeqytet organizoi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas aktivitetin “Një Lule për një Nënë”. Të mbledhur në hyrjen e parkut “Rinia”, vullnetarët e rinj kanë dhuruar për gratë dhe nënat mimoza, ndryshe nga viti i kaluar ku për këtë ditë ishin përzgjedhur karafilat e bardhë. Gert Bogdani tha për mediat se kjo ditë duhet të kthejë vëmendjen nga nënat shqiptare. “Kjo është një ditë shumë e veçantë për të gjitha gratë dhe nënat, të cilat janë pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë dhe meritojnë gëzim dhe lumturi në këtë ditë të tyren. Kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjmë për nënat tona, sidomos për ato që kanë vetëm djem, si nëna ime, të cilat lodhen edhe më shumë, se ne nuk i ndihmojmë sa duhet”, - tha Bogdani.

LSI: Më shumë vëmendje ndaj gruas

Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet nënkryetares Erisa Xhixho, deklaroi dje në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, se duhet një vëmendje më e madhe ndaj saj. Xhixho tha se në Shqipëri gratë goditen ende nga paragjykimi. “Edhe pse në Shqipëri gratë vazhdojnë të mos jenë në pozita të barabarta, edhe pse në Shqipëri gratë goditen nga pushteti, nga injoranca dhe nga diskriminimi i shumë burrave të veshur me pushtet, unë shpreh besimin tim dhe bashke me të, shpreh urimin tim, për të gjitha ato gra dhe nëna shqiptare, të cilat me aftësitë, dashurinë e tyre na japin forcë dhe kurajë të gjithëve”, - tha Xhixho. Ajo shtoi se LSI-ja ka një platformë për punësimin e grave. “Ashtu siç theksuam edhe në programin e veçante që e shpalosëm ne Konventën e Gruas të LSI-së, mbas zgjedhjeve të 28 qershorit LSI-ja do të garantojë që gruaja shqiptare së pari të punësohet nëpërmjet planit tonë të madh për punësimin, të integrohet totalisht në shoqëri dhe të drejtojë me sukses nga Parlamenti dhe ekzekutivi ndryshimin rrënjësor të vendit”, - deklaroi Xhixho.

Rama: Ligj të ashpër për dhunuesit e grave

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, vuri theksin tek dënimi i dhunës ndaj grave dhe familjes. Rama premtoi se në rast se vjen në pushtet, do të miratohen ligje për të dënuar dhunuesit e grave. “Dëshiroj të them sot se ne e konsiderojmë detyrimin tonë që të bëjmë çdo përpjekje që elementët ekstremë apo elementët e provueshëm të dhunës në familje t’i bëjmë pjesë të krimeve penale”, - tha Rama. Ai premtoi se do të ketë ndëshkime të ashpra ndaj dhunuesve të grave. “Nuk dua të hyj në shumë detaje, por dua të theksoj se nga njëra anë ka një paaftësi që lidhet dhe me mungesën e vetëdijesimit të rasteve të dhunës në familje nga ana e shtetit dhe nga ana tjetër, ka një mungesë të theksuar drejtimi për t’i trajtuar ashtu siç duhet të gjitha këto raste, mbi të gjitha, vullneti për të zbatuar ashtu siç duhet ligjin, në lidhje me dënimin e agresorëve”, - deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›