E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis dialogu midis besimtareve dhe jobesimtareve ne Tirane

"Oborri i Jobesimtarëve", strukturë e ngritur nga Këshilli Papnor i Kulturës, e nisi rrugëtimin e tij në Paris, Bukuresht e tashmë në Tiranë, për të vazhduar kështu në të gjithë botën, me qëllim hapjen e një rruge dialogu.

Mbrëmjen e sotme, në parkun pranë Katedrales së Shën Palit në Tiranë, nisi dialogu midis besimtarëve dhe jobesimtarëve në Oborrin e Takimit, nën tematikën "Në çfarë beson ai që nuk beson".

Në praninë e personaliteteve të botës kulturore, politike dhe krerëve të komuniteteve fetare të njohura zyrtarisht në Shqipëri, u zhvillua një dialog me të rinjtë besimtarë dhe jobesimtarë mbi punën, përshpirtërinë dhe informacionin, tema të cilat janë në interesin e të gjithëve.
Në Tiranë dialogu u realizua në tre tenda të veçanta, ku të rinjtë do të mund të shprehin opinionet e tyre apo të drejtojnë pyetje përpara një paneli me intelektualë dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare mbi Dinjitetin e punës dhe realizimin personal, Përvojën e besimit dhe zgjedhjen personale, si dhe mbi Identitetin e dinjitetin në rrjedhën e informacionit.

Në vijim të Tendave të Dialogut, në praninë e Kardinalit Gianfranco Ravasi, Arqipeshkvit Rrok Mirdita, Nuncit Apostolik, Arqipeshkvit Ramiro Moliner Inglès, Haxhi Gazmend Agës të Komunitetit Mysliman, Kryepiskopit Anastas Janullatos, Ipeshkvit Lucjan Avgustini, Baba Edmond Brahimajt të Kryegjyshatës Bektashiane, Pastorit Fitor Muça dhe Kryerabinit Joel Kaplan, u diskutua mbi "Rolin e komuniteteve fetare në ndërtimin e një rendi moral, social dhe ekonomik në vend".

Mbrëmja paraqiti një festë me shprehje artistike të komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri, por edhe të grupeve jobesimtarë.
Obori i Jobesimtarëve do të vazhdojë deri më datë 16 me aktivitete të tjera, ku Kardinali Ravasi do të paraqesë Oborrin dhe do të marrë pjesë në dialogun me personalitetet e ndryshme shqiptare në fushën e kulturës, politikës, diplomacisë, ekonomisë, së drejtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›