Çmimi AIITC 2008 shpall fituesit më 22 qershor
Dimensionet e kulturës dhe të shkencës kombëtare shpalosen fuqishëm në një nga aktivitetet më të rëndësishme dhe unike në Shqipëri: Çmimi AIITC 2008. Ky është konkursi më i rëndësishëm i vitit në fushën kulturore, i cili stimulon studiuesit dhe talentet e reja për kontributin, që sjellin në shkencë, art dhe kulturë. Medalje, emocione dhe surpriza pafund në një ceremoni madhështore në nder të krijuesve shqiptarë pritet të jenë në evenimentin për Çmimin AIITC 2008, ku fituesit do të shpallen në datë 22 qershor.
Evenimenti organizohet për të tretin vit radhazi nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam dhe ka në fokus krijimtarinë e vitit që lamë pas, pikërisht vitit 2008. Kjo distancë kohore bëhet me qëllim të vendosjes së objektivitetit si element kryesor në vlerësimin e konkurrentëve, sepse faktori kohë garanton një gjykim më të pjekur e profesional. Çmimet AIITC, që në mënyrë sigluese përfaqësohen me inicialet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), ndahen për tri kategori kryesore: 1-)Libri më i mirë i vitit në gjuhën gjuhës shqipe, që trajton tema në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame. 2-) Peizazhi më i bukur në penelat e piktorëve shqiptarë. 3-)Krijimi më i arrirë nga moshat e reja në prozë ose në poezi me temë E bukura në shpirt dhe në jetë. Juria e përzgjedhur për këto çmime, përfaqësohet nga personalitete të fushave përkatëse, emrat e të cilëve bëhen të ditur vetëm ditën e shpalljes së çmimit, gjithmonë në funksion të paanësisë e të objektivitetit vlerësues. Janë tri faza nëpër të cilat zhvillohet Çmimi AIITC: Fillimisht është faza e konkurrimit, e cila përfundon paralelisht me fazën krijuese të marrë në shqyrtim vlerësues, pra qysh në fund të muajit dhjetor të vitit 2008. Më pas është faza e përzgjedhjes dhe vlerësimit të materialeve për konkurrim dhe në fund, është faza finale e shpalljes së fituesve, nga ku komunikohet vendimi i komisionit përzgjedhës. Fituesit e Çmimit AIITC 2008 do të shpallen me 22 qershor dhe do të nderohen me një ceremoni zyrtare, në të cilën pritet të jepen shumë medalje për konkurrentët nga Shqipëria, Kosova e më gjerë. Emrat më të rëndësishëm të shkencës, artit e kulturës shqiptare konkurrojnë midis tyre për çmimin e madh AIITC, i cili përveç medaljeve dhe certifikatave me motivacionin vlerësues, i stimulon fituesit edhe me një vlerë monetare, përkatësisht: Për fituesin e vendit të parë në kategorinë Libri më i mirë i vitit në gjuhën shqipe, që trajton tema në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame akordohen 3000 dollarë, për kategorinë e pikturës jepet shpërblimi prej 1500 dollarë dhe për krijimtarinë e moshave të reja akordohen 500 dollarë. Kandidimet vlerësohen vetëm mbi bazën e meritave, pavarësisht nga kombësia, raca, feja apo gjinia. Ky kriter vlerësimi ka nxitur pjesëmarrjen e gjerë të krijuesve të mirënjohur, por edhe të rinj, angazhimi i të cilëve ka rritur ndjeshëm konkurrencën dhe cilësinë e këtij çmimi. Pas punës intensive të jurisë me krijimet e mbërritura për konkurrim, gjithçka do të finalizohet suksesshëm me shpalljen e fituesve të edicionit të tretë të Çmimit AIITC 2008. Për herë të parë Çmimi AIITC u zhvillua në vitin 2007, duke pasur në fokus krijimtarinë e vitit 2006. Nga kjo ceremoni u shpallën fituesit e vitit 2006. Viti i dytë i organizimit të çmimit AIITC u karakterizua nga produktiviteti masiv dhe njëkohësisht, krijimtaria e rafinuar.