E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis festivali i 6-të ndërkombëtar i dancit modern

Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 08:54

Mbrëmjen e së dielës ka nisur në Durrës Festivali Ndërkombëtar i Dancit Modern dhe Kontemporan, i cili organizohet nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit”.

Festivali i këtij viti nisi me shfaqjen “Ne-Ku-Ndër”, të trupës së “Abanian Dance Theatre” me regji të koreografit Gjergj Prevazi, e cila u prit mjaft mirë nga spektatorët që kishin mbushur sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Shfaqja, e mbështetur në krijimtarinë poetike të Migjenit dhe Kim Mehmetit, solli problematikat shqiptare në kohët e sotme, duke gërshetuar interpretimin e 9 balerinëve me atë të aktores Ema Andrea.

Edicioni i 6-të i Festivalit do të zhvillohet nga 11 deri më 17 shtator në sallën e teatrit “Moisiu” të Durrësit, por nuk do të mungojnë edhe shfaqjet e organizuara gjatë kësaj periudhe në Akademinë e Arteve dhe Teatrin e Metropolit në Tiranë.

Gjatë ditëve të Festivalit do të prezantohen trupa nga Shqipëria, Greqia, Zvicra, Sllovenia, Izraeli dhe Franca, të cilat do të interpretojnë 10 shfaqje në Durrës dhe në Tiranë. Kompanitë e huaja teatrore vijnë me disa nga prodhimet më të mira të viteve 2009-2011.

Festivali i Dancit që organizohet nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit” ka nisur në vitin 2006 dhe deri tani në skenat e teatrit të Durrësit dhe Tiranës janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Holanda, Turqia, Italia, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj.

Ky edicion i Festivalit mbështetet kryesisht nga Bashkia e Durrësit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›