Thoma Simaku dhe Visar Zhiti, motive shqiptare në Zvicër

Muzikë me motive shqiptare është dëgjuar të dielën në Zvicër. Pjesa për soprano, “Locked Door”, kompozuar nga kompozitori shqiptar i cili jeton në Angli, Thoma Simaku, mbi motivet e poezisë së Visar Zhitit, ka pasur të dielën premierën në Zvicër, në Musiksaal QuBa në Basel.
Marrë nga vëllimi me poezi “Dyer të gjalla”, përkthyer në anglisht nga Robert Elsie, pjesa u interpretua nga sopranoja Christine Simolka dhe Rene Wohlhauser (piano). Edhe më parë, kompozitori Simaku është shprehur për frymëzimet shqiptare të muzikës së tij. “Kjo poezi me të vërtetë që të mbërthen: në një hapësirë kaq të vogël ka një koncentrim dhe intensitet të përsosur”, thotë ai.
Po kjo pjesë, do të interpretohet në Paris më datën 2 tetor. “Kompozimi i Thoma Simakut mbi poezinë e Visar Zhitit erdhi tek unë sa pasionante aq edhe e dhimbshme herën e parë që më ra në dorë. Mbarte një gamë të madhe emocionesh, të cilat mund t’i përjetojë një i burgosur në pozicionin e Zhitit: depresion, inat, dëshirë, frikë, humbje, pajtim, shpresë, etj. Çdo fjalë peshon në ajër, sikur të ishte gdhendur në muret e burgut”, shkruan Lisa Kay për këtë pjesë.
Ndërkohë, një pjesë tjetër e kompozuar në Berlin, por me temë shqiptare, do të luhet në Festivalin Ndërkombëtar në Nikozia të Qipros më 16 shtator, nga instrumentistë të Grupit të Muzikës Bashkëkohore të Moskës.