E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis finalja

Të dielën, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në kryeqytet do të zhvillohet ndeshja e parë finale e play-offit të TechnoMarket Superligës së Kosovës në basketboll, ndërmjet dy rivalëve të vjetër, Sigal Prishtinës e Trepçës.

Kampioni aktual, Sigal Prishtina synon ta fitojë trofeun e dytë në këtë edicion, pas Kupës së Kosovës, që e rrëmbeu pikërisht në përballje me ‘Xehetarët’, të cilët i ka mposhtur në finalen e zhvilluar para pak kohësh në Mitrovicë.

Bardhekaltrit synojnë ta fitojnë titullin e kampionit për të pestin vit rresht. Për ta rrëmbyer këtë trofe, prishtinasit duhet të fitojnë në tri ndeshje finale përballë gjelbërezinjve, me çka nënkuptohet se së paku do të zhvillohen tri duele mes këtyre dy ekipeve. Kurse, më së shumti do të zhvillohen pesë ndeshje finale, për t’u përcaktuar kampioni i ri i Kosovës.

Basketbollisti i ekipit kryeqytetas, Gaston Essengue thotë se ekipi i tij ka kualitet më të madh sesa Trepça, andaj kamerunasi beson se ekipi i tij do ta bëjë të dielën hapin e parë drejt titullit.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje e mirë për të gjithë adhuruesit e basketbollit. Ne jemi përgatitur mirë dhe jemi të gatshëm të shfaqim lojë të shkallës së lartë. Nuk do të jetë lehtë, por mendoj se kemi basketbollistë më të mirë sesa Trepça. Jemi më të përgatitur fizikisht. Për faktin se luajmë në shtëpi, por edhe me përkrahjen e Plisave, besoj se do të fitojmë”, deklaroi Essengue për Express.

Në anën tjetër, edhe Trepça synon ta fitojë titullin e kampionit për herë të tretë në periudhën e pasluftës. Kapiteni i kësaj skuadre, Ilir Selmani thotë se ekipi i tij synon ta mposhtë Sigal Prishtinën para tifozëve të vet.

“Trepça është e përgatitur për këtë ndeshje finale dhe shpresojmë se në Mitrovicë do të kthehemi me fitore. Trepça nga fillimi i kampionatit ka synuar finalen e Kupës dhe të play-offit dhe ia kemi dalë të mbërrijmë në të dyja këto finale. Trepça ka dëshmuar lojëra të mira gjatë gjithë edicionit. Andaj, do të bëjmë përpjekje që ta fitojmë titullin e kampionit, edhe pse do të jetë mjaft vështirë”, ka thënë Selmani. Ndeshja e parë finale do të fillojë në ora 19:00.

Prishtina garat e rregullta kampionale i ka përfunduar në pozitën e parë në tabelë, andaj do të ketë përparësinë e terrenit në këto ndeshje finale. Kurse, Trepça ndeshjet finale si vendas do t’i zhvillojë larg Mitrovicës, pasi terreni i saj është i pezulluar nga Federata e Basketbollit e Kosovës, pas ekseseve të ndodhura në finale të Kupës së Kosovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›