E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa feston në Prishtinë

Besa Famiglia e ka fituar Kupën e Kosovës në hendboll pasi në finale, të shtunën mbrëma në kryeqytet e mposhti Prishtinën me rezultat 36:30. Pejanët ishin dukshëm më të mirë dhe e kontrolluan lojën gjatë tërë kohës, duke e fituar këtë trofe për herë të katërt në histori. Eksperienca e tyre erdhi në shprehje, karshi hendbollistëve të rinj prishtinas, që bënë gabime të shumta në sulm.

“Ne kemi ekip me përvojë dhe më kualitativ sesa Prishtina. Ne kemi investuar më shumë dhe kjo u pa edhe sonte. Portieri ynë e kishte ditën e tij, kjo na ndihmoi shumë. Fituam me meritë”, ka thënë trajneri i Besa Famiglias, Jasmin Mrkonja.

Vetëm 10 minutat e parë ishin të barabartë, e më pas, të udhëhequr nga maqedonasi Lazar Spirovski, që ishte i pandalshëm për prishtinasit, Besa Famiglia filloi të shkëputej në rezultat. Pejanët e mbyllën pjesën e parë me 5 gola epërsi, 14:19.

Edhe në 30 minutat e dyta, mysafirët e mbajtën ritmin, duke mos e lejuar kundërshtarin që të afrohej më shumë se 4 gola. Shkëputja më e lartë e pejanëve ishte +8 gola, 32:24. Ndërkaq, ndeshja përfundoi me 6 gola përpara për udhëtuesit, 30:36.

“Djelmoshat e mi e dhanë maksimumin, por u pa që Besa Famiglia kishte tre hendbollistë të huaj plus trajnerin. Ky klub ka bërë investime dhe mendoj se fitoi me meritë”, ka thënë pas ndeshjes trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi.

Përpos Spirovskit, që realizoi 13 gola, tek pejanët u dallua me pritje të shkëlqyeshme edhe portieri Mile Mijushkoviq. Kurse, tek bardh e kaltrit më i shquari ishte Kushtrim Kastrati, me 8 gola.

Kjo fitore ia mundëson Besa Famiglias që sezonin e ardhshëm të garojë në Kupën e Fituesve të Kupave.

Kupa e katërt për Kastriotin

Edhe Kastrioti, në konkurrencën e femrave, e ka fituar Kupën e Kosovës për herë të katërt. Ferizajaset në finale e mundën Shqiponjën me rezultat 41:36, pjesa e parë 18:16. Ndërsa, gjakovaret dështuan ta fitonin këtë trofe për herë të tretë.

Më të dalluarat tek ferizajaset ishin Bellma Beba dhe Shqipe Tahiri, me nga 12 gola, kurse tek gjakovaret, Shpresa Fazliu, që realizoi 10 gola. Sikurse Besa Famiglia, edhe Kastrioti (femrat), sezonin e ardhshëm do të garojë në Kupën e Fituesve të Kupave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›