Statistikat e “zeza” të Shkumbinit
Tri ndeshje, asnjë fitore, vetëm një pikë dhe vendi i fundit. Shkumbini e ka nisur në mënyrën më të keqe sezonin në tre javët e para. Skuadra peqinase mban edhe një rekord sezonal: është e vetmja në këto tre javë që drejtohet nga trajneri i dytë. Pas humbjes në shtëpi me Besën (1-2), ish-trajneri Gugash Magani dha dorëheqjen, por dhe pasuesi i tij, beratasi Kristaq Mile e nisi me humbje debutimin. Shkumbini humbi në Fier 1-0 me Apoloninë. Alarmi është edhe më i madh, kur shikon se vetëm Shkumbini, Laçi e Gramozi nuk kanë shijuar asnjë fitore në këto javë. Në javën e katërt, Shkumbini do të presë në shtëpi Kastriotin, me synimin e vetëm fitoren.
Skënderbeu, debutuesi më i mirë i sezonit
Gjatë periudhës së merkatos u duk se Skënderbeu kishte shumë vështirësi për të ndërtuar skuadrën, por formacioni korçar është më rezultativi në krahasim edhe me tre ekipet e tjera e ardhura nga Kategoria e Parë. “Ujqërit e dëborës” nën drejtimin e teknikut Gerti Haxhiu kanë grumbulluar 6 pikë, tre më shumë se Kastrioti (3), katër më shumë se Gramozi (2) dhe pesë se Laçi (1). Në javën e katërt, Skënderbeu do të përballet me Gramozin, në një derb shumë interesant midis skuadrave të së njëjtit qark, teksa në javën e parë mundi 4-3 Laçin. Dy kroatët, Guerrib e Rukavina kanë shënuar nga dy gola për bardhekuqtë, ndërkohë që goli i pestë mban firmën e talentit Jorgo Çipi.
Kupa e Shqipërisë
Të mërkurën e ardhshme, më 23 shtator, me tetë ndeshje të vlefshme për turin e parë paraeliminatar starton edicioni i ri i Kupës së Shqipërisë. Tetë ekipe të Kategorisë së dytë janë ndarë në dy grupe, në atë të Veriut e Jugut, sipas të njëjtës ndarje ku dhe luajnë në kampionat. Kështu në Grupin e Veriut janë përballë njëra-tjetrës, Naftëtari-Çlirimi, Mamurrasi-Korabi, Erzeni-Iliria, Luzi-Përparimi. Në Grupin e Jugut do të përballen këto çifte: Vlora-Këlcyra, Tomori-Përmeti, Domosdova-Maliqi, Delvina-Himara. Turi i dytë paraliminator do të zhvillohet, më 30 shtator, sipas kësaj skeme: fituesja e çiftit 1 me fituesen e çiftit 4; fituesja e çiftit 2 me fituesen e çifit 3 të çdo grupi.
Fituesja e fundit e Kupës së Shqipërisë është Flamurtari, që mundi në finale Tiranën (2-1). Skuadra me më shumë trofe është Partizani, me 15 të tillë.
17 Shtator 2009