Nis me probleme procesi kundër Khalid Sheik Mohammedit

Khalid Sheikh Mohammed dhe katër të dyshuarit e tjerë refuzuan që të përgjigjeshin gjatë nëntë orëve të marrjes në pyetje.
Njëri prej tyre, në një koment agresiv, deklaroi se ishte i bindur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i vrisnin përpara fillimit të çështjes.
Të pyetur nëse konsideroheshin fajtorë apo të pafajshëm për akuzat e vrasjes dhe terrorizmit, asnjëri prej të dyshuarve nuk u përgjigj. Megjithatë, Khalid Sheikh Mohammed, ka marrë më parë përsipër përgjegjësinë për planifikimin e sulmit.
Të pesë të akuzuarit si organizatorë të sulmeve që i mori jetën 2.976 personave, rrezikojnë dënimin me vdekje.
Të dyshuarit po gjykohen nga një gjykatë ushtarake, pasi një përpjekje për t’i tranferuar në SHBA, për t’u përballur me një gjykatë të zakonshme dështoi në vitin 2009, si pasojë e kundërvënies nga ana e Kongresit.