Xhena, nuse në Teksas, përkrah babait Bush
Vajza 26-vjeçare e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, Xhena, ka thënë "po"-në e mundimshme. Është martuar me Henri Hejger, një 30-vjeçar shumë i rafinuar, djali i një drejtuesi republikan të Virxhinias. Në qiellin e shtatë, Xhena ka vallëzuar me babain e saj nën tingujt e "You Are So Beautiful", të Xho Kokerit. Larg bujës së mediave, nën magjinë e perëndimit të diellit, ceremonia është zhvilluar në fermën e familjes, në Krouford të Teksasit. Xhena kishte veshur një fustan të dizajnuar nga Oskar de la Renta, një prej stilistëve të preferuar të nënës së saj, Laura. Motra binjake, Barbara, me një fustan ngjyrë blu, ishte shoqëruesja e nderit. Në praninë e rreth 200 të ftuarve, Xhena dhe Henri kanë qëndruar për disa momente në heshtje, pranë një kryqi ngjyrë bezhë. Dhe pas kësaj, të emocionuar, i kanë thënë "Po" njëri-tjetrit, ndërsa pranë altarit ishin renditur 14 shoqëruese, të veshura me ngjyrat e luleve të jugut, blu, jeshil, violet etj. Gazetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë në ceremoni. "Shtëpia e Bardhë është një vend historik dhe mahnitës, kishte shpjeguar disa ditë më parë Xhena, por për martesën time kam dashur një vend që përshtatet me personalitetin tim dhe ku do të mund të kthehem për tërë jetën time". Një zgjedhje kjo e mbështetur dhe nga i ati, që gjendet pak muaj para përfundimit të mandatit të tij të fundit në Uashington. "Është një moment gëzimi për familjen tonë, sepse festojmë një jetë të lumtur, të saj dhe të Henrit", ka thënë Presidenti në një fjalim të transmetuar në radio, një ditë më parë. "Është një moment special edhe për Laurën: do të shohë të bijën, që e kemi rritur së bashku, të ecë drejt altarit". Në disa raste, në të shkuarën, martesat e fëmijëve të Presidentëve amerikanë ishin shndërruar në evenimente të mëdha mediatike, me qindra gazetarë të ftuar dhe me transmetime të drejtpërdrejta televizive. Ndodhi kështu në 1967-ën me Linda Bërd Xhonson Rob, vajzën e Lindon Xhonsonit, apo edhe në 1971-shin me Trisha Nikson Koks, vajzën e madhe të Riçard Niksonit. Por, sipas Dag Uead, autor i një libri mbi familjet presidenciale, zgjedhja e familjes Bush është në përputhje të plotë me shijet dhe kërkesat e Xhenës dhe vetë Presidentit. "Nëse do të kishte preferuar televizionin, pretendon Uead, martesa do të ishte parë në të gjithë botën. Xhena pas kësaj do të ishte bërë një njeri i famshëm në të gjithë botën, por në të njëjtën kohë edhe një shënjestër. Familja Bush po përgatitet për t‘iu rikthyer jetës private dhe nuk është aspak e interesuar që të shikojë Xhenën të bëhet e famshme, të paktën jo në këtë moment". Çifti mësohet se do të jetojë në Baltimore, 45 minuta larg Uashington DC. Henri Hejger është ndërkohë në prag të marrjes së diplomës Masters në administrim biznesi, nga Universiteti i Virxhinas.