Shkollat e mesme, ndalohen ekskursionet jashtë Tirane
"Drejtoresha arsimore nuk na lejon të shkojmë në ekskursion. Kemi bërë njëqind letra dhe asgjë". Kështu janë ankuar në Ministrinë e Arsimit, maturantë të gjimnazeve të Tiranës. Sapo ka mbërritur stina e pranverës dhe pikërisht muaji maj, i fundit i shkollës për maturantët, janë ndeshur me urdhrin e rreptë. "Asnjë mësues të mos marrë përsipër shoqërimin e nxënësve nëpër hotele". Kështu ka deklaruar drejtoresha e Arsimit të Tiranës, Arjana Bekteshi, gjatë një mbledhjeje me drejtorët e shkollave. Ky urdhër është dhënë pas sinjaleve që ajo ka pasur për mossjellje të hijshme të të rinjve gjatë vizitave turistike. Shembujt që ajo ka përmbledhur në mbledhje kanë vlejtur mesa duket për të penguar çdo lloj lëvizje jashtë Tiranës. Burime nga Drejtoria Arsimore konfirmuan lajmin dhe bënë të ditur se lejohen vetëm vizitat njëditore nëpër qendra historike të vendit, që u shërbejnë dijeve dhe kulturës së të rinjve. Dikasteri i Arsimit deklaron se "çdo klasë mësimore që dëshiron të zhvillojë ekskursione duhet të plotësojë dokumentet që parashikon vendimi". Ato janë: Mendim me shkrim i departamentit lëndor për objektivin mësimor-edukativ të ekskursionit, mendim nga bordi i shkollës, aprovim me shkrim nga secili prind i nxënësve ekskursionistë, lista emërore e mësuesve shoqërues të nxënësve dhe përgjegjësia shtetërore e secilit mësues shoqërues dhe agjencia përgjegjëse për transportin e nxënësve, akomodimi i tyre, vendmbërritja, licenca, si dhe targat e shoferëve të autobusëve. Në urdhrin e ministrit Pollo thuhet gjithashtu se "para miratimit të lejes, Drejtoria Arsimore duhet të garantojë sigurinë e jetës së nxënësve dhe mësuesve. Është pikërisht kjo pikë që i jep të drejtë autoritetit drejtues të arsimit të vendosë për ekskursionet e nxënësve.