Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim të veçantë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, z. Franco Frattini. Në fillim të këtij takimi, Kryeministri është shprehur
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot pasdite një takim të veçantë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, z. Franco Frattini.
Në fillim të këtij takimi, Kryeministri është shprehur se tashmë Shqipëria është në një proçes që e bën atë një nga protagonistët kryesorë të Ballkanit Perëndimor në proçesin e përafrimit drejt BE-së, duke vlerësuar faktin se për Shqipërinë është një moment i veçantë që Presindeca e BE-së i takon Italisë në gjashtë muajt e ardhshëm.
"Konkluzionet e Samitit të Selanikut, një samit mjaft i rëndësishëm shpresojmë të stimulojnë akoma më shumë përpjekjet që po bëjmë për të krijuar një realitet europian në Ballkan dhe për të dinamizuar proçesin e reformave që do të na bëjë më të aftë të përthithim metodat europiane", tha zoti Nano.
Duke u ndalur në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, Kryeministri theksoi se ky raport do të na ndihmojë të ecim më shpejt përpara në integrimin e sistemeve, tregjeve, ekonomive dhe infrastrukturave, duke theksuar se qeveria është e vendosur të realizojë reforma të thella të cilat e integrojnë vendin me standartet europiane, ashtu sikurse do të vazhdojë pa kompromis goditjen kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar.
Në këtë drejtim, zoti Fratini ka inkurajuar arritjet e qeverisë në luftën kundër trafiqeve dhe në veçanti të emigrimit klandestin. "Shqipëria është shembulli më pozitiv se si e ka menaxhuar goditjen e emigracionit klandestin, duke demonstruar se trafiku i qenieve njerëzore mund të bllokohet", u shpreh ai.
Ministri i Jashtëm Italian është shprehur me tone optimiste mbi të ardhmen europiane të Shqipërisë, duke nënvizuar se Italia vazhdon të mbeshtesë idenë se gjatë presidencës së Bashkimit Europian nga Italia, Shqipëria të jetë një partner i privilegjuar, një partner special për Italinë. "Ne dëshirojmë që vendi juaj të mbyllë negociatat me BE-në brenda mandatit Italian dhe për këtë duhet të bashkëpunojmë drejt një objektivi të përbashkët, duke shpresuar të arrijmë brenda presidencës italiane përfundimin e negociatave. Ky do të ishte demonstrimi i partnershipit shumë të veçantë me Shqipërinë dhe do të ishte për ju një demonstrim që vetëm për pak kohë keni bërë një ndryshim të madh", tha zoti Fratini, duke veçuar dy sektorë prioritarë për të arritur këtë; reformat në administratën publike dhe reformat në ekonomi, në liberalizimin e tregut dhe proçesin e privatizimit, ku mbështetja dhe asistenca e Italisë do të jetë e garantuar.
Duke u ndalur në marrëdhëniet bilaterale ministri Fratini tha se gjërat po ecin në mënyrë konkrete. "Ne po nxisim grupe të mëdha industrialistësh italianë, banka të njohura italiane të hyjnë në tregun shqiptar, grupe të mëdha të investojnë në sektorin e energjetikës etj sepse realiteti shqiptar tashmë është në prag të një kapërcimi cilësor".
Roli i Shqipërisë në rajon, nga ministri i Jashtëm Italian, është vlerësuar në veçanti. "Është e rëndësishme tek shohim Shqipërinë si një vend që ushtron një lojë moderatore. Kjo është po ashtu shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të saj". Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për përafrimin e Kosovës në proçeset integruese europiane si një moment themelor për të ardhmen e të gjithë rajonit.