E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvlerësimi i lekut dhe taksat e reja rëndojnë xhepat e shqiptarëve

Indeksi i çmimeve të Konsumit u rrit për muajin e katërt radhazi në dhjetor, bëri të ditur dje Instituti i Statistikave. Vetëm në muajin dhjetor, çmimet u rritën me 1.6 për qind, një nga ndryshimet më të shpejta të shënuara në dy vitet e fundit. Rritja e çmimeve u kryesua nga grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat u rritën në dhjetor me 3.7 për qind. Brenda këtij grupi, zarzavatet shënuan një rritje prej 22 për qind. Në muajin dhjetor nuk pati pothuajse asnjë lloj malli që nuk pësoi rritje.
Inflacioni vjetor
Situata duket edhe më problematike për sa i përket rritjes vjetore të çmimeve. Në dhjetor 2009, jeta në Shqipëri u shtrenjtua me 3.5 për qind, ndërkohë që në shumicën e vendeve të botës, çmimet e konsumit pësuan ulje për shkak të krizës. Ushqimet, te të cilat shqiptarët shpenzojnë gati gjysmën e parave të veta, u shtrenjtuan me 6.8 për qind, ndërkohë që në të gjithë botën u ulën. Në dhjetor, zarzavatet u kushtuan shqiptarëve plot 42 për qind më shumë se një vit më parë. Rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2009 pësuan edhe çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit me 4.1 për qind. Rënie e konsiderueshme vërehet vetëm te grupi i transportit me 6.7 për qind, për shkak të rënies së çmimit të karburanteve, si dhe te telekomunikacioni me rreth 19 për qind, si pasojë e rregullave të reja në tarifat e interkonjeksionit mes kompanive të këtij tregu. Në rënie të lehtë kanë qenë edhe mallrat e konsumit joushqimor, si veshjet dhe këpucët, rënie që besohet se vjen nga ulja e kërkesës së brendshme.
Shkaqet e rritjes
Rritja e çmimeve i detyrohet pothuajse tërësisht zhvlerësimit të lekut kundrejt euros, ndërsa edhe rritja e taksave të akcizës ka dhënë ndikimin e vet. Një euro kushtoi rreth 137 lekë në dhjetor 2009, ndërsa kushtonte 123 lekë në dhjetorin paraardhës. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, ndryshimet në kursin e këmbimit pasqyrohen në masën 100 për qind në indeksin e çmimeve të konsumit, por ky ndryshim kërkon zakonisht nëntë muaj që të transferohet te çmimet. Për këtë arsye, pesha e zhvlerësimit të lekut me 13 për qind kundrejt euros nuk është transferuar ende tërësisht te çmimet e shitjes me pakicë në vendin tonë.
Banka e Shqipërisë synon të mbajë një nivel inflacioni prej rreth 3 për qind, jo më të ulët se 2 për qind dhe jo më të lartë se 4 për qind.
E ardhmja e çmimeve të konsumit duket se do të varet gjerësisht nga ecuria e kursit të lekut kundrejt euros. Rritja e çmimit të dritave nga janari, si dhe rritja e taksave të akcizave për duhanin e alkoolin janë dy faktorët kryesorë që pritet të pasqyrohen te kostoja e jetesës së shqiptarëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›