E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis pastrimi i bregut të liqenit të Shkodrës

21/03/2011  Nga mbeturinat e përmbytjeve të vjetshme dhe subjekte e individë të ndryshëm

Bashkia Shkodër paralajmëron ndëshkime me gjoba për ndotësit e mjedisit

SHKODER- Bashkia e Shkodrës ka nisur projektin për pastrimin e gjithë bregut të liqenit të Shkodrës nga mbeturinat e shumta të shkaktuara nga përmbytjet e vitit të kaluar, por edhe nga hedhjet e individëve e subjekteve të ndryshme private. Sipas drejtuesve të kësaj Bashkie, projekti parashikon pastrimin e gjithë gjatësisë së liqenit të Shkodrës, por edhe të një pjese të lumit Buna, që i përket qytetit. Konkretisht heqja e mbeturinave po bëhet që nga ura e re e Bunës, për të vijuar me zonën turistike të Shirokës e deri në zonën turistike të Zogajve. Janë gjithsej 8 kilometër gjatësi lineare përgjatë brigjeve të lumit Buna e liqenit të Shkodrës, të cilat do të pastrohen tërësisht nga mbeturinat e grumbulluara, duke filluar nga qeset e plastmasit, shishet plastike,barërat e deri tek rrënjët, apo trungjet e pemëve. Pastrimi i kësaj pjese të bukur të ligatinave të Shkodrës pritej prej kohësh jo vetëm nga banorët e lagjeve “Shirokë” dhe “Zogaj”, por edhe nga të gjithë banorët e pjesës tjetër të qytetit, pasi për vite me radhë kanë vuajtur nga përballja me një panoramë të shëmtuar në breg të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, të shkaktuar nga hedhja e mbeturinave nga individë dhe subjekte të papërgjegjshme. Drejtuesit e Bashkisë Shkodër theksojnë se heqja e këtyre mbeturinave po bëhet jo vetëm për të krijuar higjienën e duhur në një zonë, që frekuentohet gjatë gjithë vitit nga banorët e Shkodrës dhe të rretheve të tjera, por edhe për të krijuar një imazh tjetër të hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe të zonave turistike Shirokë-Zogaj. Masat ndëshkuese do fillojnë me gjoba të rënda, deri në mbyllje të aktivitetit të subjekteve private përgjatë bregut të lumit Buna dhe atij të liqenit të Shkodrës. Për të arritur në mbajtjen pastër të gjithë gjatësisë së bregut të liqenit të Shkodrës, si dhe pjesës së lumit Buna që i përket qytetit, Bashkia e Shkodrës do të organizojë kontrolle të shpeshta me anë të punonjësve të Policisë Bashkiake, por njëkohësisht do të bashkëpunoje dhe me strukturat e zyrës së mjedisit dhe të mbrojtjes së liqenit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›