E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, mashtronin qytetarët përmes një shoqate, 2 në pranga

Drejtoria Kundër Krimit Financiar në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Berat dhe Korçë, kanë bërë të mundur arrestimin e dy personave me akuzën për mashtrim.
Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar Moisi Çunaj 46 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për "mashtrim", Drejtor Ekzekutiv i "Shoqërisë mediatike kombëtare Komunitete" dhe Ramadan Baho 53 vjeç, lindur dhe banues në Poshnjë, Berat, me detyrë Drejtor Rajonal i "Shoqërisë mediatike kombëtare Komunitete".

Arrestimi i këtyre dy personave është bërë pas një investigimi 3 mujor të kryer nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat në bashkëpunim me Prokurorinë e këtij rrethi, në kuadër të të cilit është arritur të bëhet dokumentimi i mashtrimeve të shumë qytetarëve prej këtyre shtetasve.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit Moisi Çunaj dhe Ramadan Baho, nëpërmjet "Shoqërisë mediatike kombëtare komunitete" dhe Gazetës Komunitete kanë mashtruar qytetarë të ndryshëm nëpërmjet Zyrave Rajonale të vendosura në disa rrethe, përmes premtimeve për ushtrim ndikimi të paligjshëm punësim, si dhe për ndërmjetësim për lirimin e të dënuarve nga burgu.

Sipas policisë i arrestuari Mojsi Çunaj ka precedentë të mëparshëm penal, ku në vitin 2000 është dënuar me 7 vjet burg, pasi edhe në atë vit kishte kryer të njëjtin aktivitet mashtrimi përmes shoqërisë fiktive "Me ty shqiptar kudo emigrant".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›