Nis pastrimi i rrugës nga plehrat
Nis puna për pastrimin e rrugës nacionale Shkodër-Hani i Hotit. Njësitë vendore që kanë nën administrim pjesë të kësaj rruge, kanë reaguar pas lajmit të publikuar dy ditë më parë në gazetën “Shqip”, duke ndërhyrë kryesisht në aksin në dalje të qytetit të Shkodrës, sapo fillon rruga nacionale dhe më në brendësi që është në juridiksionin territorial të Komunës Rrethina. Njësitë vendore kanë vënë në dispozicion disa mjete të rënda për pastrimin e rrugës nacionale. Sipas drejtuesve të njësive vendore mendohet që brenda një jave i gjithë aksi nacional Shkodër-Hani i Hotit do të pastrohet nga mbeturinat. Në të njëjtën kohë drejtuesit vendorë shprehen se do vendosen masa të ashpra administrative për të gjithë ata persona që do të tentojnë të hedhin mbeturina në rrugë. Aksi Shkodër-Hani i Hotit është një nga arteret kryesore që lidh Shqipërinë me Europën Perëndimore në rrugë tokësore dhe gjendja në të cilën ndodhej kjo rrugë nacionale pak ditë më parë nuk ishte aspak e denjë për një rrugë që të çon drejt Europës. Fillimi i pastrimit të rrugës, përveç zgjerimit të rrugës, ka krijuar një pamje tjetër të këtij aksi rrugor.
#