Vazhdon faturimi aforfe i energjisë
Sërish probleme me faturimin aforfe të energjisë elektrike në Fier. Në sportelet e OSSH-së, qytetarët ankohen për abuzime me faturat e konsumit të energjisë elektrike, që sipas tyre kanë arritur kulmin gjatë javëve të fundit. Sipas tyre, faturimi i konsumit për një familje është rritur gati dyfish. Ndërkaq, drejtues të filialit të OSSH-së së Fierit deklarojnë se paralel me trajtimin e çdo rasti ankese, po merren masa ndaj faturistëve që kryejnë abuzimet me faturat. E ndërsa drejtuesit akuzojnë faturistët, këta të fundit shprehen se kanë urdhra nga drejtuesit e tyre, me qëllim rritjen e treguesve të vjeljes së faturave. Në fakt duhet thënë se prej dy vjetësh zona energjetike e Fierit ka njohur tregues të ulët të vjeljes së faturave të konsumit e për rrjedhojë ka ndërruar disa drejtorë, te të cilët është parë edhe shkaku i mosrealizimit të planit. Ndërkaq, shumë faturistë janë shprehur se do t’i drejtohen gjykatës për zgjidhje të problemit. Por, ata që vuajnë këtë “ngërç” të krijuar në filialin e OSSH-së së Fierit janë konsumatorët familjarë. Shumë banorë të Fierit i janë shmangur pagesës së faturës dhe kanë kërcënuar se do të vijojnë të mos paguajnë nëse nuk verifikohet te matësit konsumi i energjisë. Ndërkohë që një pjesë tjetër e banorëve të Fierit kanë ditë që mblidhen te filiali i OSSH-së dhe protestojnë.
Së fundmi mësohet se përballë ankesave pa fund për faturime aforfe janë larguar nga puna 30 faturistë. Këta kishin vetëm pak muaj që kishin filluar punë, por mesa duket kanë pasuar kontingjentin e parë të faturistëve që lanë punën muajt e parë të këtij viti, si pasojë e ankesave pafund për abuzime me faturat.
#