E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat e biznesmenëve

Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 18:50

Komuniteti i biznesit në Kosovë ka kërkuar nga ekzekutivi i vendit të përgatisë politika të favorshme për stimulimin e prodhimeve të vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë anëtare të CEFTA`s.

Lidhur me këtë, sipas tyre, është i nevojshëm eliminimi i taksës doganore prej 10 për qind. Situata e krijuar pas fuqizimit të masave reciproke ndaj produkteve serbe dhe vënies së taksave doganore prej 10 për qind për mallrat boshnjake, ka shtyrë komunitetin e biznesit që t’i propozojë ekzekutivit të vendit ndryshimin e politikave fiskale - me theks të veçantë uljen e taksave doganore për produktet bazike të vendeve të Bashkimit Evropian. Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të cilat dëshirojnë të hyjnë në tregun e Kosovës, duhet të paguajnë taksë doganore prej 10%. Ndërsa, shtetet që janë nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA, janë të liruara nga kjo pagesë.

Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi dhe Serbia janë anëtare të marrëveshjes CEFTA. Por, në tregun kosovar janë të pranishme edhe produkte të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, konsideron se Qeveria e Kosovës duhet aplikojë masa të përkohshme, duke eliminuar taksën doganore vetëm për produktet bazike, të cilat në mënyrë zinxhirore mund të ndikojnë në ngritjen e çmimeve të artikujve të tjerë.

“Realisht, një veprim i tillë duhet të pritet kur Kosova do të kishte ndonjë marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian dhe kjo do të duhej të bëhej gradualisht”, tha ai.

“Por, në situatën e re të krijuar, qeveria duhet të mendojë që në disa produkte bazike, të cilat janë të rëndësishme për tregun, të aplikojë masë të përkohshme të uljes së taksës doganore në zero për qind”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›