E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK përshëndet marrëveshjen për veriun

Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 18:44

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it për veriun. Sipas kësaj partie, marrëveshja e djeshme është në linjë të plotë me vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe respekton kontrollin e plotë të kufirit dhe masat e reciprocitetit.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, në një konferencë për media të shtunën ka thënë se marrëveshja dhjetë pikëshe do të kontribuojë në zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe kontrollit të plotë të pikave 1 dhe 31 në veri.

“Partia Demokratike e Kosovës mirëpret dhe përshëndet marrëveshjen e arritur nëpërmjet pikave të pajtueshmërisë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, e komunitetit relevant ndërkombëtar për ruajtjen e gjendjes së re dhe realiteti të ri ligjor të krijuar në pikat kufitare 1 dhe 31, në përputhje të plotë me obligimet kushtetuese e ligjore dhe me veprimin e ndërfutjes së masave të reciprociteti dhe masave për kontrollin e plotë të kufirit”, ka thënë Stavileci.

Stavileci theksoi se vendimi për reciprocitetin dhe marrëveshja me KFOR-in janë një sukses më i madh për vendin tonë në angazhimin e përbashkët për shtrirjen dhe vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë territorin e shtetit të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është në linjë të plotë me vendimet e marra dhe të zbatuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si konsekuencë e të cilave masat e reciprocitetit do të respektohen skajshmërisht dhe kontrolli i kufirit do të bëhet përgjatë gjithë hapësirës, për më tepër kur këto vendime kanë asgjësuar qind për qind kontrabandimin dhe dukuritë e tjera negative në këtë anë të vendit tonë, dhe mbi të gjitha kanë mundësuar vendosjen e ligjit dhe të rendit në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ai.

Stavileci, në emër të PDK-së, falënderoi të gjithë qytetarët e Kosovës për tolerancën dhe pjekurinë e dëshmuar gjatë këtyre ditëve, ndërsa ka thënë se vetëm bashkërisht duhet konsoliduar dhe fuqizuar realiteti i ri nga i cili nuk do të ketë kthim prapa, transmeton KosovaPress.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›