E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis procesi gjyqësor për zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë



Tiranë - Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë nisi dje procesin gjyqësor ndaj shtatë personave, pjesa më e madhe funksionarë shtetërorë, të dyshuar për abuzime me tenderin për blerjen e një makine për Ministrinë e Shëndetësisë. Në proces gjyqësor janë shtetasit Aleksandër Lipivani, Edi Vesho, Laert Qendro, Majlinda Demollari, Maksim Bozo, Sami Brici, Voltan Sheri, të cilët akuzohen për “shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërdorim detyre". Personat e sipërpërmendur akuzohen për abuzime me procedurat e një tenderi të organizuar vitin e kaluar për blerjen e një makine për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë. Por, të pandehurit, gjatë ballafaqimit me prokurorinë, kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave të ngritura ndaj tyre. Hetimet për këtë çështje nisën më 28 shkurt të vitit të kaluar dhe përfunduan pak ditë më parë, kur prokuroria dërgoi dosjen për shqyrtim gjyqësor.

Prokuroria kërkon 6 vjet burg për gruan që vrau të shoqin

Tiranë - Prokuroria kërkoi dje dënimin me 6 vjet burg për 33-vjeçaren Vitore Suçi, e akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj, Mirash Doda, vitin e kaluar në Tiranë. Gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë, përfaqësuesi i prokurorisë lexoi konkluzionet e hetimit të çështjes, duke kërkuar cilësimin fajtore të së pandehurës dhe dënimin e saj me burg. Nëse kjo pretencë lihet në fuqi nga gjykata, atëherë e arrestuara do të vuajë vetëm 13 e dënimit për shkak se ndaj saj është pranuar gjykim i shkurtuar. Ngjarja për të cilën akuzohet Vitore Doda (Suçi) ndodhi më 26 gusht të vitit 2008 në zonën e quajtur Bregu i Lumit, kur ajo qëlloi për vdekje me thikë bashkëshortin e saj, Mirash Doda, 35 vjeç, pas një konflikti në banesën e tyre. 33-vjeçarja u arrestua në kushtet e flagrancës nga forcat e Policisë së Tiranës. Më pas, gjatë ballafaqimit me hetuesit, ajo pranoi autorësinë, por pretendoi se krimin e kishte kryer në kushtet e vetëmbrojtjes për shkak të keqtrajtimit nga bashkëshorti i saj, me të cilin kishte pak javë që ishte martuar. Seancën e radhës pritet që pala mbrojtëse të japë konkluzionet e saj dhe më pas gjykata do të shpallë vendimin përfundimtar për çështjen.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›