E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërdoroi detyrën, pranga ish-drejtorit të Minierës së Mushqetasë



Tiranë - Policia e kryeqytetit, në bashkëpunim me Task-Forcën dhe Sektorin e Antikrimit Ekonomik arrestuan dje ish-drejtorin e Minierës së Mushqetasë në Tiranë, Ylli Shaba. 49-vjeçari, i cili gjatë viteve 2003-2005 ka qenë drejtor i minierës, ka rënë në prangat e policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Prokuroria e Tiranës ka filluar procedimin penal kundër Shabës, ndërkohë që gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg. Mësohet se gjatë periudhës në krye të minierës së Mushqetasë, Ylli Shaba ka lëshuar vërtetime për pensione false. Për Ylli Shabën ka filluar procedimin penal, pasi dyshohet për konsumim të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “mashtrimit” dhe të “falsifikimit të dokumenteve”.

Sherri te Fusha e Aviacionit, arrestohen agresorët e 34-vjeçarit

Tiranë – Një i ri ka mbetur i plagosur rëndë pasi u sulmua nga dy të tjerë gjatë një konflikti, shkaqet e të cilit nuk janë qartësuar ende. Burimet nga Seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit thanë dje se u arrestuan Lumir Arifaj, 19 vjeç dhe Binak Arifaj, 24 vjeç, që të dy banues në Tiranë. Ata konsiderohen përgjegjës për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në orën 19:30 në afërsi të Fushës Aviacionit, ku kanë goditur me sende të forta në pjesën e kokës dhe të trupit 34-vjeçarin nga Tirana, Ervis Shehu. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë edhe për 18-vjeçarin Ditmir Arifaj, banues në Tiranë, i dyshuar për konsumim të veprës penale të “moskallëzimit të krimit”. Sakaq, materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për Lumir Arifaj dhe Binak Arifaj për veprën penale të “plagosjes së rëndë” e kryer në bashkëpunim, që mendohet se ka ardhur për motive të dobëta.

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›