E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy zonjat Rama angazhuan Gërdec median, për të gatuar bukën e zgjedhjeve me akuza ndaj meje”

Fahriu Balliu, nëpërmjet një konference për shtyp, ka sqaruar dje për mediat për origjinën e akuzave ndaj tij

TIRANE - Publicisti i mirënjohur dhe botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu, u është kundërpërgjigjur dje akuzave të botuara në disa të përditshme në vend, lidhur me firmosjen e një marrëveshje mes vajzës së tij dhe ish presidentit të firmës “Alba-Demil”, Mihal Delijorgji, në hapjen e një firme për gërmim dherash.

Në një dalje publike për mediat, Balliu sqaron opinionin publik se akuzat e montuara ndaj tij dhe familjarëve, bëhen me qëllim, për të ndëshkuar autoritetin profesional dhe të ndershëm të tij, me synim ndërtimin e terrenit abuziv në prag të zgjedhjeve, ndaj përfaqësuesve që mbartin vlera të pastra demokratike.

Balliu bëri me dije se që nga shkurti i vitit 2006, vajza e tij ka firmosur një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgji, specializuar për gërmim dherash, ndërkohë, që nga momenti i krijimit të kësaj firme as zoti Balliu dhe as vajza e tij, nuk kanë pasur më lidhje me atë firmë, e cila vdiq sa lindi dhe emrat e tyre të përmendura në shkrimet e botuara në disa gazeta, nuk figurojnë më.

Përpos këtyre akuzave vrastare, banale dhe të paprecendenta, sigurisht të nxjerra në tregun e mashtrimit dhe gënjeshtrës nga disa individë që vetëquhen si gazetarë “investigativë”, dhe që dështimin e tyre profesional duan ta legjitimojnë me artikulime akuzash tërësisht të pabaza dhe pa dokumentacionin e duhur faktues, bëhen me qëllim që të faktorizohen nën llumin e pisët dhe bëmat kriminale, pas aktiviteteve të dyshimta që Baze dhe Rama, kanë shkëmbyer dhe vazhdojnë të shkëmbejnë me njëri-tjetrin, ndonëse këto ende mbeten të pazbardhura dhe nuk i janë bërë të ditura opinionit mbarë publik, gjë që i takon organit të akuzës dhe Ina Ramës.

“Në këtë konferencë për mediat, dua të jap sqarimet e duhura për akuzën në gotë që kanë ngritur segmente dhe qarqe të caktuara që për interesa të mirëfillta politike, kanë keqinterpretuar dhe mashtruar opinionin publik, lidhur me një të ashtuquajtur aferë timen me Delijorgin. Ju bëj me dije se në shkurt të 2006, vajza ime ka firmosur një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgi për gërmim dherash. Që nga momenti i krijimit të kësaj firme, as vajza ime dhe as unë, nuk ka asnjë lidhje me këtë firmë e cila vdiq sa lindi. Unë posedoj të gjithë dokumentet e lëvrimit financiar dhe në këto dokumente, emri i vajzës sime, e aq më shumë unë, nuk figurojnë”, tha Balliu.

Publicisti i mirënjohur Fahri Balliu, deklaroi në vijim se ky sulm, është i denjë thjesht për shfaqje të huaja dhe dokumentet e krijimit të kësaj ndërmarrje kanë qenë me kohë në prokurori: “është studiuar, analizuar dhe është parë që nuk ka asnjë gjë në ngarkim timin apo të familjes sime. Në këto kushte, duke qenë se janë të dështuar në këtë pikë, ia dhanë këtë dokument drakulës së medias, i cili e përtypi me nofullat e tij të gjakut, për t’ua dhënë kolegëve tanë, ne dhe opinionit publik, si një aferë ku do të goditeshin Balliu, apo ata që janë prapa Fahri Balliut. Sigurisht se në këtë dokument dhe në dhënien e tij, është përfshirë padyshim prokuroria, sepse kjo ka qenë legale në websit-in e QKR-së dhe që mua as më ka shqetësuar dhe as më shqetëson. Atë mund ta merrte çdo njeri. Kurse e dhënë në këtë formë, është për t’i shërbyer sadopak strategjisë dhe politikës të dy zonjave Rama, një e bashkisë dhe një e Prokurorisë, dhe është e lidhur drejtpërdrejt me luftën që bën gazeta dhe media bashkë me shtëpinë botuese që unë drejtoj, kundër segmenteve të gënjeshtrës, mashtrimit dhe implikimit në krime të vjetra dhe të reja”, u shpreh Balliu.

Ai bën të ditur se nuk ka kërkuar as në opozitë dhe as sot, asnjë lëshim dhe asnjë nder nga qeveria.

“Unë jam thjesht një botues gazete. Unë nuk kam kërkuar kurrë as në opozitë dhe as sot, asnjë lëshim dhe asnjë nder nga qeveria. Nuk jam paraqitur në një tender, siç është paraqitur drakula për të marrë tendera dhe për të bërë presion. Unë, gjithashtu nuk e kam shitur gazetën 500 mijë euro dhe më pas ta blej 1000 euro, që është simbol dhe emblemë e pastrimit të parave dhe kurrë ndonjëherë - as në këtë biçim dhe biçimsëz firme - as në ndonjë tjetër, nuk kam kërkuar para publike; nuk kam asnjë tendencë që më shtyn drejt shfrytëzimit të taksapaguesve, siç ndodh me të tjerët. Natyrisht se në këtë terren politike që luajmë ne gazetarët, do të kemi sulme të dukshme e të padukshme; do të kemi siç është bota e vjetër e skutës nga vijnë këto sulme që të anatemojnë vlerat reale të botës intelektuale, botës së medias të vendit dhe t’i zëvendësojnë ato me bastardë dhe hajdutë që u vjedhin edhe shokëve 20 mijë euro dhe të bëjnë sa të munden që njerëzit që janë në radhët e para të luftës për të vërtetën, të jenë të dyshuar. Por sigurisht se kjo nuk zgjat dhe nuk nxjerr miell për të bërë bukën e zgjedhjeve Edi Rama dhe shërbëtorët e tij të rekrutuar, herët apo vonë”, nënvizoi Balliu.

Ndërkohë, në përgjigje të interesimit të mëtejshëm të gazetarëve, Balliu ritheksoi faktin se Prokuroria është e angazhuar në dhënien e materialit, që i është vënë në dispozicion drakulës apo Gërdecit të medias, për të deformuar personalitetin, imazhin dhe dinjitetin e një botuesi të angazhuar denjësisht në kah të së drejtës dhe avokat i vendosur i së mirës së përgjithshme.

“Unë mendoj se prokuroria është angazhuar për dhënien e këtij materiali, pasi vetë prokurorja ka thënë sot se: “Unë e dija këtë. Kam pasur dijeni për atë dokument”. Kuptohet që ky material nuk përbën asgjë dhe nuk ka asnjë gjë. Nuk ka asnjë lidhje me këto veshjet që dëshiron të bëjë ky ‘Gërdeci i Medias’. Duke qenë se është siç po ju them, ky u përpoq ta faktorizojë për interesa të atyre që u shërben tani. Ju i keni parë. Ne jemi kolegë dhe nuk mund të bëjmë sikur nuk i dimë gjërat. Ai është i renditur në një luftë për jetë a vdekje kundër raporteve të suksesit që ka kjo qeveri dhe kjo mazhorancë. Ai përpiqet që të errësojë sa të mundet”, tha Balliu.

Publiçisti Balliu, tha se Prokuroria dhe Ina Rama, le të veprojnë siç kanë deklaruar se do të vërtetojnë gjithçka.

“Prokurores i them të vazhdojë. ‘Pushka top’ le t’i bëhet. Kjo nuk ka lidhje as me Fahri Balliun, as me vajzën e Fahri Balliut. Ky është një formalitet. Kjo është një mendësi komuniste. Le të marrim anën e kundërt. Firma mund të kishte zhvillim dhe mund të kishte marrë të ardhura. Në çfarë ligji hyn kjo që nuk duhet të marrësh. Pse i ndodhi këtij ‘Gërdeci’. Atëherë po largohemi të gjithë se nuk dihet se çfarë i ndodh atyre që drejtues të tjerë mediash bashkëpunojnë me ta. Atëherë çfarë do të bëjmë. Këto janë thjeshtë agjitacion e propagandë. Ai po mundohet të ndëshkojë autoritetin tim me nenin ‘55’. Janë dëshira dhe pasione për të nxjerrë vaj politik në zgjedhje”, nënvizoi Balliu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›