Sondazhi i ZOGBY: PS fiton zgjedhjet
Sondazhi i “Zogby International” në bashkëpunim me Top Channel vlerëson se, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot, do të fitoheshin nga PS, e cila do të merrte 38% të votave të zgjedhësve shqiptarë.
Pas PS vjen menjëherë PD me 36%, e ndjekur nga LSI me 5%, G99 me 3%, dhe PR, PSD dhe LZHK secila me nga 1 për qind. Duke bërë krahasimin e muajit mars me dy muaj më parë rezulton se, PS ka rezultate të qëndrueshme, PD ka fituar 4%, por mbetet mbrapa, LSI mbetet njësoj, ndërsa partitë e vogla janë rritur me 5% të gjitha së bashku.
Ndërkohë që për sa u përket të pavendosurve, numri ka rënë me 8%. Gara është ende shumë e afërt, pasi kemi 11% të votuesve që nuk kanë vendosur se për kë parti do të votojnë.
Lidhur me përshkrimin e votës, nga gjithë votuesit e mundshëm kur janë pyetur se për kë parti do të votojnë, 61% thonë që kanë vendosur, ndërsa 16% thonë të kundërtën. Në këtë drejtim PS është përpara me 47%.
Lidhur me vlerësimin e performancave të liderëve kryesorë, Berisha dhe Rama, për kryeministrin 36% japin një vlerësim pozitiv dhe 63% vlerësim negativ, ndërkohë që për Ramën 46% e të intervistuarve japin vlerësim pozitiv dhe 51% negativ.
Ndërsa mes votuesve të pavendosur, të dy liderët e partive kryesore kanë një vlerësim negativ. 75% e të pavendosurve vlerësojnë negativisht punën e kryeministrit dhe 64% vlerësojnë në të njëjtën mënyrë punën e kreut të PS.
Për sa i përket vlerësimit të partive, në radhët e të pavendosurve 45% kanë një vlerësim pozitiv për PD dhe 49% për PS. Vlerësimi në fjalë vjen me një rritje me 9% për të dyja partitë.
Ndërkohë, saktësohet në sondazh, për sa u përket çështjeve kryesore që shqetësojnë shqiptarët, në vend të parë renditet punësimi me 72%, ekonomia me 63%, varfëria me 46%, korrupsioni në qeveri me 27% dhe me pas vjen inflacioni po me 27%.
Ndërsa për sa i takon drejtimit që po merr Shqipëria, 43% e shqiptarëve mendojnë se vendi po ecën në rrugën e duhur, 46% në rrugën e gabuar dhe 12% nuk janë të sigurt.