E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza e gjykatësit që do shqyrtojë “Gërdecin”, avokate e Delijorgjit

Nga top-channel.tv

Seanca e parë e procesit gjyqësor ndaj 30 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit pritet të shoqërohet me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për përjashtimin nga Kolegji Penal të njërit prej gjyqtarëve.

Bëhet fjalë për gjykatësin Besnik Imeraj, i cili më 18 mars u përzgjodh në shortin me gogla së bashku me katër gjyqtaret femra, Majlinda Andrea, Evelina Qiriako, Irma Bala dhe Evgjeni Sinoimeri.

Nga dokumentet që Top Channel disponon vërehet papajtueshmëri për arsye familjare të gjyqtarit Imeraj e madje për këtë ligji parashikon heqjen dorë nga trupi gjykues në raste të tilla.

Konkretisht, vajza e gjyqtarit Imeraj, Marsela Imeraj, figuron në këto dokumente si një nga avokatet e autorizuara nga i pandehuri Mihal Delijorgji për të përfaqësuar dhe për të kryer veprimet e nevojshme në regjistrin e QKR për kompaninë “AlbaDemil”.

Në shkresën e firmosur nga Delijorgji, vajza e gjyqtarit së bashku me dy avokatë të tjerë përfaqëson Delijorgjin për të depozituar në QKR vendimin e asamblesë së ortakëve të “AlbaDemil”.

Përveç këtij autorizimi, Marsela Imeraj rezulton të jetë firmëtarja gjatë regjistrimit të këtyre ndryshimeve të kompanisë “AlbaDemil” në dhjetor 2007.

Por neni 17 i Kodit të Procedurës Penale thotë se, në rastet kur gjyqtari ka interes në procedim ose kur një nga palët private, ose një mbrojtës është debitor a kreditor i tij, bashkëshortit ose i fëmijëve të tij, gjyqtari duhet të heqë dorë nga gjykimi i çështjes konkrete.

Po ashtu, gjyqtari duhet të dorëhiqet nga çështja, edhe kur është kujdestar, përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit, ose i njërës nga palët private, ose kur mbrojtësi a përfaqësuesi i njërës prej këtyre palëve është gjini i afërt i tij apo bashkëshortes së tij.

Ligji parashikon që në rast të mosdhënies së dorëheqjes, përjashtimi i gjyqtarit kërkohet nga palët. Gjyqtari Besnik Imeraj u kontaktua më herët nga Top Channel nëpërmjet zyrës së shtypit në Gjykatën e Lartë dhe pohoi se nuk do ta japë dorëheqjen për një rast të tillë, por do të dorëhiqet, vetëm nëse vajza e tij, Marsela Imeraj, do të mbrojë ndonjë nga të pandehurit e tragjedisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›