Rasti Rrapo, socialistët kërkojnë dorëheqjen e Ilir Metës
Arrestimi i punonjësit të Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo, është kthyer shumë shpejt në një problem politik të ditës. Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi dje dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në emër të marrjes së përgjegjësive politike që lidhen me ngjarjen në fjalë. “I kërkojmë sot Ilir Metës të japë dorëheqjen në shenjë përgjegjësie për këtë incident të rëndë që ka prekur Ministrinë e Jashtme. Ky skandal i turpshëm bëhet edhe më i thellë me reagimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme, sipas të cilit ky individ na paska qenë marrë në punë si sekretar personal i ministrit brenda të gjitha rregullave dhe me konkurs, kur në fakt nuk ka pasur asnjë konkurs. Fakti që ky person është i katërti në listën e të arrestuarve nga radhët e LSI-së e shton edhe më shumë këtë përgjegjësi”, deklaroi Balla. Kërkesës në fjalë i ka paraprirë një seri akuzash shumë të rënda ndaj Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrave të tij Mediu, Meta dhe Basha. Kështu Balla ka emetuar qëndrimin zyrtar të selisë rozë, i cili ka përfshirë brenda denoncimin, akuzën penale dhe paralajmërimin për përgjegjësitë. Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe faktet e sjella në Komisionin Parlamentar të Sigurisë nga kreu i Shërbimit Informativ për sa u përket lëvizjeve financiare të krimit të organizuar ndërkombëtar në Shqipëri, por edhe nxjerrjes së sekreteve të NATO-s nga ana e diplomatëve shqiptarë. “Vetëm pak ditë më parë, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror informoi ligjvënësit shqiptarë se struktura të qeverisë janë të lidhura me krimin e organizuar, se diplomatë shqiptarë po japin informacione sekrete të NATO-s për shërbimet inteligjente ruse dhe të tjera”, tha Balla. Në përgjigje të këtij deklarimi kanë mbërritur dy replika, por jo përgjigje, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, të bëra si nga kreu i saj, Ilir Meta, ashtu edhe nga sekretari i përgjithshëm i saj, Luan Rama. Kështu numri dy i qeverisë ka refuzuar të japë dorëheqjen, të cilën bëri të ditur se do ta vërë në tavolinë në fund të mandatit ligjor të qeverisë. “Dorëheqjen do ta japim kur të mbarojë afati i përcaktuar me Kushtetutë, sa i bie? I bie dhe tre vjet të tjera, sepse kuptohet, askush nuk mund të rrijë në një detyrë pa u rizgjedhur në mënyrë demokratike”, tha Meta në një prononcim për mediat. Nga ana tjetër, Luan Rama ka plotësuar replikën me një qëndrim zyrtar të LSI-së, në të cilin teksa vlerësohet puna njëvjeçare e koalicionit me PD-në, nuk mungon një akuzë edhe për deputetin socialist Balla. “...deklarata e z. Balla është spekulative dhe këtu qëndron padyshim edhe imoraliteti i qëndrimit. Nga informacionet që unë kam, personat për të cilët flet zoti Balla nuk kanë lidhje me trafiqe dhe me situata për të cilat dhe Balla është në dijeni dhe për të cilat është ndaluar në Bullgari, për shembull”, tha Luan Rama.
#