E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis punen Samiti i Brukselit

Brukseli ka mbledhur sot krerët e qeverive dhe shteteve të 27 vendeve anëtare të BE në samitin e pranverës, dedikuar kryesisht cështjeve ekonomike.Ndërkohë ka nisur takimi i jashtëzakonshëm i ministrave të Financave të Eurozonës dhe rreth orës 18 të pasdites do të nisë mbledhja e Këshillit Europian. Gjatë këtij takimi do të rikonfirmohet emërimi për dy vjet e gjysmë i presidentit Herman Van Rompuy, i cili për herë të parë do të emërohet edhe presidenti i Eurosamitit. Rreth orës 19.30 do të nisë me një darkë pune diskutimi i çështjeve ekonomike, veçanërisht për përcaktimet e vendeve të ndryshme anëtare për të ashtuquajturën semestri europian. Debati do të fokusohet  mbi masat e rritjes në kuadër të të ashtuquajturës strategjia “Europa 2020” që parashikon një seri veprimesh prioritare për secilin vend. Ndër të tjera do të diskutohet edhe letra e dërguar nga 12 shtete dhe qeveri te cilat propozojne një seri aksionesh dhe reformash strukturore për rritjen dhe punësimin duke filluar nga kompletimi i tregut të përbashkët europian. Më tej presidenti i Eurogroupit Jean Claude Juncker do të bëjë një përmbledhje për të gjitha zhvillimet e fundit në Eurozonë. Cështja e fundit që do të diskutohet në samitin e Brukselit lidhet me vendimin mbi dhënien e statusit kandidat për në BE të Serbisë si dhe zgjerimin e hapësirës së lirë të qarkullimit në Shengen të  Bullgarisë dhe Rumanisë. Ndërkohë që në ditën e nesërme liderët e 25 vendeve të BE do të firmosin Traktatin mbi disiplinën fiskale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›