E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis punën komisioni hetimor për demonstratën e dhunshme

Komisioni përbëhet nga disa deputetët të Partisë Demokratike, ndërsa opozita me shumë gjasa nuk do të marrë pjesë.

Komisioni është i përbërë nga deputetët demokratë, Eduard Halimi, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj, Viktor Gumi si dhe Fatos Hoxha.

 “Komisioni do të përballet me vështirësi pasi duhet që hetimet të bëhen me cilësi të lartë, argumentet të jenë të forta dhe me zbatueshmëri ligjore”, tha deputeti i PD, juristi Eduart Halimi. Ai kërkoi nga opozita që të bëhet pjesë e këtij komisioni, që sipas tij është një detyrim kushtetues.

Deputeti Halimi siguroi se komisioni hetimor do të tregojë transparencë të plotë në çdo hetim të bërë për ngjarjet e 21 janarit.Vendimi për ngritjen e këtij komisioni u mor gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit që u mblodh të dielën mbrëma.

Në këtë drejtim, Halimi u shpreh se anëtarëve të komisionit do t'u duhet të thellohen në ligjet përkatëse, por edhe në tërësinë e akteve nënligjore që udhëheqin këto institucione në gjithë veprimtarinë e tyre.
   
'Në tërësi do hetojmë edhe të gjitha aktet, dokumentet, planet e masave, udhëzimet, komunikimet që janë bërë para, gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti në 21 janar. Detyra është komplekse sepse në ushtrimin e saj duhet të përballemi me retorikën populiste dhe revolucionare që autorët e grushtit të shtetit përpiqen të përhapin kudo, për të justifikuar tentativën e tyre për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues", tha Halimi, ndërsa garantoi për një hetim transparent.  /S.Ll /Start/

                                                                                             2011-01-25 13:57
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›