E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis punimet Asambleja e Pergjithshme OKB-se

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka hapur sesionin e 67- vjetor. Presidenti i ri i Asamblesë Vuk Jeremic ka thënë se Kombet e Bashkuara nuk mund t’i zgjidhin të gjitha problemet e botës brenda natës.
Megjithatë, ish kryediplomati i Serbisë ka shprehur bindjen se organizata mbetet e rëndësishme në “adresimin e nevojave në rritje të njerëzimit”. Ai tha se do të kërkojë mjete paqësore për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkombëtare. Ish shefi i diplomacisë serbe është përpjekur, por pa sukses, në pengimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila tashmë njihet si shtet nga rreth 90 vende, por jo edhe nga OKB-ja.
Asambleja e Përgjithshme me 193 vende anëtare në pjesën tjetër të javës do të përgatitet për debatin e përgjithshëm që fillon më 25 shtator, ku do të ketë fjalime nga presidentë dhe kryeministra shtetesh të ndryshme.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun i kërkoi Asamblesë, e cila vepron si një legjislativ për organizatën botërore, që të punojë për të ruajtur sundimin e ligjit, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›