E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e Butrintit, identifikohen autorët

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim të dyshuarit si përgjegjës të tragjedisë së Butrintit. Organizatorët e trafikut të klandestinëve Shqipëri- Greqi, nga liqeni i Butrintit, tashmë janë të skeduar nga policia dhe mbetet vetëm lokalizimi dhe vënia në pranga e tyre. Policia e Shtetit njoftoi dje se janë katër të dyshuar që organizuan këtë kalim të paligjshëm të kufirit. Një grup hetimor do të hetojë tragjedinë e ndodhur dy net më parë, kur njëra prej dy varkave me klandestinë u mbyt pak metra larg brigjeve të liqenit të Butrintit. Në tragjedi humbën jetën 22-vjecarja Elvira Jaho dhe foshnja e saj 3-muajshe. Kërkime në det dhe tokë për 18-vjeçarin që i mungon apelit. Tragjedia e Butrintit me një grup prej 24 klandestinësh nga Berati, Fieri, Lushnja dhe nga zonat e Veriut, ka përfunduar me vdekjen e dy vetave dhe lëndimin e katër të tjerëve, ndërkohë që ka dyshime për persona të humbur, por zyrtarisht thuhet se nuk bëhet fjalë për viktima të tjera.
Policia
Policia e Shtetit bën të ditur se menjëherë pas ngjarjes, dhënies së ndihmës të dëmtuarve, shoqërimit të personave që kanë dijeni mbi rrethanat e hetimit, është krijuar një grup hetimor për ketë çështje. Mësohet se grupi kryesohet nga prokurori i Rrethit Gjyqësor Sarandë në përbërje të të cilit janë drejtuesit e policisë së qarkut Vlorë, drejtues të policisë së Sarandës dhe drejtues të sektorit të antitrafiqeve në Policinë e Shtetit. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se nga tërësia e gjithë veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente ka rezultuar se drejtuesit e barkës së mbytur janë identifikuar dhe po punohet për dokumentimin e veprimeve të tyre në këtë ngjarje si dhe arrestimin e tyre. Gjithashtu, nga pyetja e personave të shoqëruar dhe nga tërësia e veprimeve të tjera policore është bërë i mundur identifikimi i personave që kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.
Për arsye hetimi emrat e katër të dyshuarve që organizuan këtë kalim të paligjshëm të kufirit nuk bëhen të ditur.
Hetimet
Nisur nga deklarimet e personave të shoqëruar dhe gjithë veprimet verifikuese të bëra gjatë natës dhe në vazhdim deri në këto momente nuk kemi të dhëna për Ndriçim Myftarin, 18 vjeç, lindur e banues në Bubullimë, Lushnjë, i cili dyshohet të ketë qenë së bashku me personat e tjerë që do të kalonin kufirin. Sipas policisë, për këtë person po vazhdojnë kërkimet intensive me grupe speciale të repartit RENEA në vendin ku është mbytur varka, si dhe nga grupe të luftës kundër krimit të organizuar e Policisë Kufitare në terrenin tokësor për të bërë të mundur gjetjen e tij.
Deri më tani nuk kemi siguruar asnjë provë që të vërtetojë mbytjen e tij, megjithatë kërkimet vazhdojnë intensivisht. Në vendin ku është mbytur varka janë gjetur nga polumbarët specialë pasaporta, telefona, çanta etj. që u përkasin shtetasve të shoqëruar, të cilat janë administruar në cilësinë e provës materiale.

Tragjedia
Dy ditë më parë, rreth orës 19.18 shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar se në liqenin e Butrintit, mbas parkut, tek ish-Peshkimi, një grup i përbërë prej 20-25 personash në tentativë për të kaluar në bregun tjetër të liqenit në vendin e quajtur “Bufi”, për t iu shmangur postbllokut të shërbimeve të Policisë Kufitare të dislokuara pranë vendit të quajtur “Lundra”, duke përdorur dy varka druri, kanë tentuar të kalojnë nga Butrinti në Xarrë. Pasi kanë lundruar rreth 60 metra nga bregu, njëra nga barkat është përmbysur dhe personat kanë rënë në ujë.
Patrulla e Policisë Kufitare sapo ka konstatuar aksidentin, ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme për t u dhënë ndihmë personave të përfshirë, duke bërë të mundur shpëtimin e 7 personave. Me mbërritjen në orën 19.30, të përforcimeve nga Komisariatet e Policisë Kufitare dhe të Rendit të Sarandës, ambulancave dhe mjekëve të spitalit të Sarandës është bërë e mundur dhënia e ndihmës për personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Nga kontrolli i ushtruar rezulton se është mbytur shtetasja Elvira Demir Jaho, 22 vjeç, banuese në fshatin Lapardha 2, Berat, foshnja e saj, Klara Jaho, 3-muajshe. Identifikimin e 2 viktimave e bëri shtetasi Dritan Bahir Jaho, 27 vjeç, i cili është bashkëshorti i Elvirës dhe babai i Klarës, i mbijetuar, i cili është shpëtuar nga forcat e Policisë Kufitare, pasi ishte në ujë duke u mbytur dhe është shoqëruar për në spital, në gjendje shoku.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se barka e përmbysur ishte prej druri, dhe përdorej nga peshkatarët për gjuetinë e midhjeve, dhe në të kanë hipur 13 persona, të cilët kishin si destinacion kalimin e kufirit tokësor nga fshati Xarrë dhe më tej në Konispol për të kaluar në Greqi. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme janë shoqëruar 24 persona për t u intervistuar në lidhje me ngjarjen, mes tyre shtetasit Ahmet Bushi, 52 vjeç, nga Qafë-Gjashta dhe Ilir Meta, 33 vjeç, nga Vrina, të dyshuar respektivisht si pronari dhe drejtues i varkës së përmbysur. Në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndodhen tashmë drejtues të Policisë së Qarkut Vlorë, të cilët së bashku me drejtues të Sektorit të Antitrafiqeve të Policisë së Shtetit po menaxhojnë situatën dhe po zhvillojnë hetime intensive për të përcaktuar rrethanat, shkaqet dhe personat përgjegjës për këtë aksident. Rritet bilanci i tragjedisë së mbrëmshme në Butrint me dy të humbur.

Kërkimet e polumbarëve
Polumbarët kanë rinisur mëngjesin e djeshëm kërkimet për gjetjen e trupit të një 17-vjeçari, i cili mendohet të jetë viktima e tretë e tragjedisë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në ujërat e liqenit të Butrintit. Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga burimet e Policisë së Shtetit, të cilat thanë se i riu është Ndriçim Myftari, 17 vjeç. Përveç këtij të humburi, dyshimet janë se dhe një tjetër person mund të ketë humbur jetën nga përmbysja e varkës. Por të dhëna në lidhje me personin e katërt nuk janë bërë të ditura, pasi ende vazhdojnë kërkimet dhe verifikimet.
Zyrtarisht, deri më tani dihet se një foshnjë 3-muajshe dhe nëna e saj 22-vjeçare janë viktimat e tragjedisë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në liqenin e Butrintit në Sarandë.
Ato janë Elvira Jaho dhe Klara Jaho, ndërsa Dritan Jaho, 27 vjeç, babai i foshnjës, u kthye në shtëpi, por ndodhet në gjendje shoku psikologjik. Xhaxhai i Dritan Jahos ka treguar se nipi i tij me bashkëshorten dhe fëmijën u nisën mëngjesin e së dielës për në Sarandë. Policia e Shtetit mbrëmë tregoi emrat e 22 personave që i mbijetuan kësaj tragjedie të rëndë. Të mbijetuarit ndodhen në komisariatin e policisë së Sarandës dhe po merren në pyetje. Ndërkohë mësohet se dy persona janë shoqëruar.
Ndërkaq që deri tani në pranga janë vënë pronari i varkës së përmbysur dhe timonieri i saj. Familja e re e Dritan Jahos, ishte ndërtuar vetëm pak muaj më parë. Fryt i lidhjes dashurore mes Dritanit 27-vjeçar dhe Elvirës pesë vjet më të vogël, ishte Klara, vogëlushja që dje, vetëm tre muaj pasi kishte ardhur në këtë botë, humbi tragjikisht jetën, bashkë me nënën e saj.
Dritani ka kaluar vetëm 27 vite të jetës së tij dhe sot gjendet në gjendje të thellë shoku.

Personat e shoqëruar në Polici
1. Skënder Ruçi, i lindur më 1965 në Portëz, Fier
2. Elidon Manaj, lindur më 1974 në Patos, Fier
3. Brunilda Manaj, lindur më 1981 Patos, Fier
4. Gerti Duraj, lindur më 1986, Frakull, Fier
5. Erion Duraj, lindur më 1987, Frakull, Fier
6. Marsid Mita, lindur më 1992, në Lushnjë
7. Elton Mehmeti, lindur më 1980, në Cërrik
8. Taulant Duraj, lindur më 1988, Frakull Fier
9. Artan Çobaj, lindur më 1992, Portëz, Fier
10. Sajmir Xhekalili, lindur më 1981 në Rukaj, Mat
11. Qemal Stashkollari, lindur më 1992, Lushnjë,
12. Valbona Senja, lindur më 1982, Elbasan
13. Agim Shermadhi, lindur më 1956, Klos, Elbasan,
14. Indrit Azisaj, lindur më 1988, në Fier
15. Fatjon Sene, lindur më 1990, Mollas, Elbasan
16. Ardian Lazaj, lindur më 1976, Mallakastër
17. Lavdosh Kuca, lindur më 1973, Tepelenë
18. Vanbasten Gjinushi, lindur më 1989, Tepelenë
19. Klodian Calliu, lindur më 1987 në Durrës
20. Sokol Mali, lindur më 1985 në Pezë-Helmës Tiranë
21. Maringlen Hoxha, lindur më 1978, në Fier
22. Denis Zema, lindur më 1991, në Lushnjë

Kërkimet
Kërkime për të gjetur të humburit në tragjedinë në Butrint, kanë nisur dhe në kodrat përreth vendit të ngjarjes. Burime nga policia bënë të ditur se kanë nisur kërkimet për gjetjen e 17-vjeçarit të zhdukur dhe në kodrat përreth vendit të ngjarjes në liqenin e Butrintit, pasi polumbarët në operacionet e tyre nuk kanë pasur sukses. Ndriçim Myftari është deklaruar si i zhdukur, pasi nuk ka qenë në asnjë prej listave të të mbijetuarve apo atë të viktimave. Policia ka nisur kërkimet, pasi nuk përjashton mundësitë që i riu të jetë hedhur në ujë dhe pastaj me not të ketë dalë në breg. Pas kësaj ai mund të jetë larguar nga frika e policisë.

Ky lajm është publikuar: 21/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›