E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e ratifikon NATO-n më 28 qershor

Nga Mero Baze

Qeveria dhe opozita kanë vendosur të festojnë të ndarë pranimin e Shqipërisë në NATO. Për shumë shqiptarë, nga ata që nuk janë shumë të angazhuar politikisht, ky vendim duket absurd. Por në të vërtetë nuk ka asgjë për t’u çuditur. Megjithëse të dy blloqet tona politike nuk ndahen tek ideja e anëtarësimit në NATO, ata ndahen te mënyra se si po përdoret NATO për qëllime elektorale. Festa e parakohshme e nisur nga qeveria në çdo fshat të Shqipërisë, duke folur për NATO-n, skenat folklorike që lidhin NATO-n me kujtimet e baballarëve e gjyshërve deri te Skënderbeu dhe mbi të gjitha prirja për ta përdorur anëtarësimin në NATO si legjitimim të defekteve të brendshme demokratike, natyrshëm ka sjellë ndarjen. Festimi në dy sheshe, natyrisht nuk është një gjë estetike, por është një dëshmi e perceptimit të dy standardeve që ekzistojnë në Shqipëri për futjen e vendit në NATO. Njëra palë e percepton futjen në NATO si përmbushje të standardeve demokratike dhe injoron defektet e shtrembërimet që po ndodhin, ndërkohë dhe tjetra natyrisht është e predispozuar të ekspozojë defektet dhe të tregojë se ato duhet të ndreqen.

Nëse qeveria nuk do të tentonte të monopolizonte festën për NATO-n dhe nëse nuk do të kishte akuza absurde ndaj opozitës, se gjoja ajo po nxinte për anëtarësimin në NATO, mundet që sot mos të kishim dy festa, madje mund të mos kishim asnjë festë, pasi të dy festat më shumë ngjan se po bëhen nga inati i njëra-tjetrës sesa nga qejfi i NATO-s.

Kjo ndarje, e cila demonstron problemet që s’mund të mbulojë anëtarësimi në NATO në Tiranë, do të vërë në provë standardet e reja politike që imponon një vend i NATO-s në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke qenë se janë sfida e parë politiko-elektorale pas hyrjes në NATO, vëmendja do të përqendrohet pikërisht te standardet e këtyre zgjedhjeve dhe të sjellja e re politike e zyrtarëve të shtetit dhe opozitës.

Shumë nga argumentet që opozita ka përdorur gjatë vitit që shkoi për konsensusin me shumicën për reformat ligjore, kishin të bënin me nevojën e anëtarësimit në NATO, si një mburojë për standardet demokratike të vendit. Shpeshherë është dëgjuar arsyetimi se “një vend i NATO-s s’mund të vjedhë vota” apo në një vend të NATO-s ka zgjedhje të lira. Arsyetime të tilla kanë motivuar realisht qytetarët ta pranojnë NATO-n si një standard të ri për shoqërinë e tyre.

Por ky standard nuk do të provohet as nesër, kur do të festohet në dy vende, as javën e parë dhe të dytë të anëtarësimit. Testin e parë, që shqiptarët ta “ratifikojnë” realisht hyrjen e vendit të tyre në NATO, e kanë më 28 qershor të këtij viti, kur ata të votojnë si qytetarë të një vendi të NATO-s. Nëse ata do të kenë të gjithë karta identiteti, nëse votat e tyre do të numërohen, nëse palët do ruajnë etikën dhe do të bëjnë fushatë të ndershme, nëse biznesmenët e dyshimtë nuk do të jenë më pjesë e listave elektorale, nëse paratë e pista s’do blejnë më pushtetin për të bllokuar ndryshimin real, atëherë ne kemi votuar si një vend i NATO-s dhe do ta ratifikojmë këtë vendim historik. Në të kundërt, nëse standardet e NATO-s nuk marrin notë kaluese më 28 qershor, atëherë kemi hedhur një hap të fortë mbrapa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›