Nis shkarkimi në HEC-e, eksporti arrin në 15 milionë kWh/ditë
Situata/Ministri i Energjetikës raportoi mbi gjendjen hidrike në vend, ku reshjet kanë diktuar hapjen e portave në disa HEC-e
Shirat e rënë ditët e fundit kanë rritur ndjeshëm prurjet në kaskadën e Drinit dhe kjo ka sjellë nevojën, për të hapur disa nga HEC-et, ndërkohë që është rritur ndjeshëm prodhimi dhe eksporti i energjisë elektrike. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, raportoi dje para mediave mbi situatën hidrike në vend.
Ditën e djeshme kemi prodhuar 27 milionë kWh energji. Është konsumuar në vend 19 milionë kWh energji. Mes importit dhe eksportit kemi një bilanc pro eksportit 7.7. Eksporti real ka qenë 12.4 milionë dhe nga sot do të shkojë në 15 milionë kWh në ditë. Nivelet kanë pësuar një rritje të ndjeshme dje, për shkak se prurjet kanë shkuar 1400 m3/sek. Tani që flasim janë 1000 m3/sek. Liqeni i Fierzës është në nivelin e 296.27 m. Në momentin që ka qenë 296 m, sekretariati teknik e ka diskutuar çështjen dhe në orën 1 pas mesnate ka vendosur që të fillojnë shkarkimet, deri në normalizimin e situatës, - ka bërë me dije Prifti. Ndërsa shtoi se sipas rregullores, kur prurjet bien nën 700 m3/sek, atëherë shkarkimet ndalohen dhe në rast se prurjet janë mbi 700 m3/sek, atëherë duhet të vazhdojnë shkarkimet. Sipas tij, aktualisht niveli i Fierzës është rritur me 60 cm gjatë 24 orëve të fundit. Niveli në Koman është 174 m dhe është rritur me 50 cm. Ministri Prifti tha se atje prurjet kanë qenë pothuajse mbi 1000 m3/sek. Në Vaun e Dejës niveli është rreth 75 m, kur kufiri maksimal është 76 m. Ai bëri të ditur se deri tani vendimi i Sekretariatit Teknik dhe komisionit të posaçëm është që nga Liqeni i Fierzës të shkarkohen 500 m3/sek. Për momentin kemi ndalur shkarkimin për një ore, në mënyrë që të kalojë trageti me njerëz dhe mallra. Për pak minuta rifillon shkarkimi me 500 m3/sek në Fierzë, 400 m3/sek në Koman dhe 700 m3/sek në Vaun e Dejës.
Ne kemi ndjekur situatën orë pas orë edhe gjatë natës. Kemi njoftuar të gjitha instancat, përfshi kabinetin e Kryeministrit, ministritë e linjës dhe pushtetin vendor, - tha Prifti, ndërsa siguroi se nuk është situatë problematike për sa u përket përmbytjeve.
Nga informacioni që kemi nga terreni nuk ka asnjë rrezik që të ketë sërish përmbytje në zonën e Shkodrës dhe nën Shkodrës. Ne jemi duke ndjekur situatën në vazhdimësi. Në këtë nivel shkarkimesh, kur nuk vazhdojnë shirat dhe nuk ka prurje shumë të mëdha nga lumenjtë e tjerë veç Drinit, nuk mendoj se ka ndonjë predispozitë për të pasur përmbytje. Megjithatë, ne i kemi bërë të gjitha njoftimet dhe po merren të gjitha masat që situata të jetë nën kontroll, - tha Prifti. Sipas tij, nëse kjo situatë shikohet në aspektin energjetik, është shumë pozitive sepse ne sot në kaskadën e Drinit kemi 1.5 miliard kWh rezervë dhe eksporti vetëm në muajt e fundit ka shkuar në 1.3 miliard. Sot sipas Priftit, do të nisë të eksportohen 15 milionë kWh energji në ditë, gjë që ska ndodhur ndonjëherë. Çdo gjë funksionon në rregull, duke nisur që nga pajisjet, makineritë, turbinat e portat. Ai tha se është shumë e mundur që të kalohet eksporti prej 2 miliardë kWh gjatë këtij viti.
E përsëris edhe një herë, ne jemi duke ndjekur situatën në vazhdimësi për të eleminuar mundësinë e përmbytjeve. Në të gjitha aspektet e tjera situata është pozitive. Digat dhe centralet janë të garantuar. Pra, situata është nën kontroll, - tha ministri. Lidhur me sasinë e eksportit të energjisë tha se është mbajtur gjatë gjithë muajve të fundit një regjim eksportesh mbi 10 milionë kWh, ku pothuajse çdo ditë është eksportuar më shumë se 10 milionë kWh. Në legjislacion ne i kemi lënë KESH-it të drejtën për të bërë ankande ditore, ankande të menjëhershme. KESH më njofton që gjatë ditës së djeshme dhe të sotme është duke ndjekur procedurat për të rritur sasinë e energjisë, që do të eksportohet dhe që sot do të fillojë eksportimi me 15 milion kWh orë. Çmimi i energjisë është çmimi i bazuar mbi bursën greke. Në çdo fund muaji bursa greke deklaron nivelet e çmimeve. Ato çmime fiksohen në kontratat tona dhe mbi bazën e tyre bëhet shitja e energjisë nga KESH, - sqaroi ministri.