E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis punën HEC-i i Dikancit në Kosovë

Projekti Investim i kompanisë shqiptare “Frigo Fud-Energy Invest”

Në Kosovë zgjerohen kapacitetet për prodhimin e energjisë së rinovueshme, apo energjisë e cila gjenerohet nga burime të pashtershme siç janë uji, dielli dhe era. Me një kapacitet prej rreth 2 megavat orë energji elektrike këtë të mërkurë filloi punën hidrocentrali i “Dikancit” në komunën e Dragashit. Ky hidrocentral u ndërtua në vitin 1957. Ai në shtator të vitit të shkuar iu dha me koncesion kompanisë shqiptare “Frigo Fud-Energy Invest”, e cila në fazën e parë të projektit investoi 370 mijë euro. Kapacitete e prodhimit të hidrocentralit të Dikancit pritet të zgjerohen gjatë vitit të ardhshëm. Me një investim tjetër prej 2 milionë eurosh, ky hidrocentral do të arrijë kapacitetet e prodhimit deri në 4.6 megavat orë energji elektrike. Drejtori i Korporatws energjetike tw Kosovës Arben Xhuka e vlerësoi si shumë të domosdoshme futjen e kapitalit privat në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Ndërkaq ministri kosovar i ambienti Mahir Jakgjillar tha se ky projekt është në përputhje të plotë me politikat e ministrisë për ruajtjen e ambientit.

Lëshimi në punë i hidrocentralit të Dikancit pritet të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në komunën e Dragashit. Sipas zyrtarëve të KEK-ut prodhimi i 2 megavat orë energji elektrike do të mbulojë 20 për qind të energjisë sa harxhon kjo komunë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›