Aeroporti Nënë Tereza, monitorim nga Konkurrenca
Shërbimet e koncesionarit gjerman TIA në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” do të jenë objekt monitorimi nga Autoriteti i Konkurrencës. Në rast se konstatohen shkelje të parimeve të konkurrencës, nisur nga fakti se është operatori i vetëm në vend, atëherë Komisioni i Autoritetit do të nisë hetimet. Plani për objektin e kontrollit është konfirmuar nga vetë kryetarja e autoritetit, Lindita Lati, e cila sqaron se nuk ka një vendim për hetim për nisjen e monitorimit, “parë kushtet e funksionimit të tregut, të transportit publik dhe ajror, sipas dyshimeve për shkelje të mundshme të ligjit ‘Për mbrojtjen e konkurrencës’”. Ndërkaq, “Shqip” merr një tjetër konfirmim, sa u takon negociatave mes qeverisë shqiptare dhe grupit gjerman për rishikimin e kontratës koncesionare, sa i takon pjesës së ekskluzivitetit që nuk lejon operimin e një tjetër shoqërie të ofrojë shërbimet aeroportuale apo hapjen e një aeroporti, për qëllim të transportit të pasagjerëve.
KontrataE lidhur mes qeverisë shqiptare dhe investitorit të huaj, drejtuar nga grupi gjerman “Hochtief”, më 2005-n, kontrata me afat 20 vjet, lejon rindërtimin e aeroportit, menaxhimin dhe shfrytëzimin e tij, sipas një plani biznesi dhe investimi, në shifrat e 50 milionë eurove. Në kohën kur u firmos kontrata, i vetmi aeroport që kishte Shqipëria operonte në kushte të vështira, pa shërbime të duhura, ndërsa numri i pasagjerëve dhe linjat nuk nxisnin investitorin të merrte përsipër objektin. Në këto kushte, qeveria “Nano” e pa të arsyeshme hartimin e klauzolës “monopol” për investitorin që pranonte marrjen me koncesion. Sot kushtet kanë ndryshuar sa u takon linjave të udhëtimit, lëvizjes së pasagjerëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit, falë edhe investimit të kryer. Duke qenë se qeveria shqiptare synon të zhvillojë sektorin e turizmit, sidomos pjesën e jugut, plani për ngritjen e një aeroporti bëhet më i nevojshëm. E njëjta logjikë vlen edhe për Aeroportin e Kukësit, që këto ditë mbushi 10 vjet nga ndërtimi, por nuk ka kryer asnjë volum pune, përveç testeve të vazhdueshme.
AeroportiVitin e kaluar, TIA u shërbeu 1.394.688 pasagjerëve duke shënuar 20.064 lëvizje të trafikut ajror (ATM) dhe përpunoi 1.711 tonë mallra. Duke i krahasuar me vitin e kaluar, këto shifra tregojnë një rritje prej 10.1 për qind në pasagjerë dhe një rritje prej 4.5 për qind të ATM-ve, ndërkohë që transporti i mallrave ka regjistruar një zbritje prej 13 për qind. Sot në TIA operojnë dymbëdhjetë linja ajrore, të cilat e lidhin kryeqytetin me 33 destinacione të ndryshme, duke përfshirë këtu Zyrihun, Liezhën dhe Shtutgartin, të cilat u përuruan gjysmën e dytë të vitit të kaluar.
#